Autoritetet lokale të Prizrenit i ftuan ndërmarrjet që merren me teknologji informative, inovacione, edukim, pasta me turizëm, agro-kulturë, shkencë dhe hulumtime, që të paraqesin interesin e tyre për të qenë pjesë e këtij parkut që do të funksionojë në hapësirat e kampit gjerman të KFOR-it në Prizren, transmeton “GazetaePrizrenit.net”.
Hapësira në të cilat aktualisht janë të vendosura trupat e KFOR-it gjerman, nga fillimi i vitit të ardhshëm do të ketë një funksion të ri. Aty parashihet të veprojnë ndërmarrje të ndryshme që merren me fushat e sipërpërmendura. Mjediset e atjeshme mendohen të kthehen në një qendër kosovaro-gjermane. Në një sipërfaqe prej 44 hektarësh, ndodhen 36 objekte të mëdha.
Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, në një publikim në rrjetet sociale, ka vlerësuar se ky Park i Inovacionit është mundësi e shkëlqyeshme për zhvillimin e qytetit tonë dhe të Kosovës në përgjithësi.
“Falë investimeve të bëra që nga paslufta, kushtet për zhvillim të biznesit janë mbi standarde të Kosovës, ndërsa ndërmarrjeve do t’u ofrohen lehtësira të ndryshme”, ka shkruar ai, përcjell “GazetaePrizrenit.net”.
Kryeministri Ramush Haradinaj, ditë më parë e ka vlerësuar kampin ushtarak gjerman të KFOR-it, një lloj sikur kampin amerikan “Bondsteel”, sa i përket zhvillimit ekonomik të Prizrenit, për shkak së aty parashihet të hapen vende pune, derisa ka ftuar të gjithë, që të kontribuojnë për konkretizimin e kësaj nisme, në një storie të suksesit për Kosovën dhe rajonin.
Në këtë kontekst priten investime kosovaro-gjermane. Nga një marrëveshje e nënshkruar me Qeverinë gjermane për investime, pritet punësimi i mbi 1 mijë personave.
Kryetari prizrenas ka thënë se do të zgjedhet një kompani që do ta menaxhojë qendrën, ndërsa mendohet se kjo do të jetë gjermane, e cila më pas do të jep me qira hapësirat e këtushme.
Në hapësirat e kampit është e rregulluar e gjithë infrastruktura. Aty ndodhet edhe spitali modern, kuzhina, fushat e futbollit, të tenisit, etj. Në këtë vend do të përqendrohen institucione shkollore dhe edukative, të cilat do të përgatisin kuadro të reja, të gatshme për tregun e punës. Hapjen e një qendre të trajnimit e ka paralajmëruar edhe shkolla ALG “Loyola- Gymnasium”.
Kampi ka edhe një rezervuar për furnizim me ujë, që për nevojat e tij mund të zgjas deri në 6 muaj.
Haskuka i ka ftuar ndërmarrjet që të shprehin interesin e tyre, për të qenë pjesë e këtij Parku, duke i ftuar ato që këtë ta bëjnë duke plotësuar një formularin për shprehje të interesit. /GazetaePrizrenit.net/