20-04-2024

Cilën pjesë të Komunës së Prizrenit pritet ta përshkojë autostrada Prizren-Istog?

Prizrenasit e interesuar mund të jenë pjesë e debatit për definimin e variantit më të favorshëm të projektit ideor për segmentin e Autostradës Prizren-Istog, që kalon nëpër territorin e komunës së Prizrenit. shkruan “GazetaePrizrenit.net”.

Projekti i Ministrisë së Infrastrukturës, për ndërtimin e autostradës me gjatësi prej 91 km të segmentit: Istog -Pejë-Deçan-Gjakovë-Prizren, që pritet të nisë në fund të këtij viti, tashmë është në fazën e shqyrtimit të varianteve të projektit ideor.

Deri tash janë prezantuar tri variantet e mundshme se nga do të shtrihet traseja e autostradës që do të lidhë pesë komuna.

Varianti i parë ka gjatësi rreth 90 kilometra, e dyta 94 kilometra dhe e treta rreth 96 kilometra. Autostrada e Dukagjinit parashihet të fillojë nga Burgu i Dubravës, kalon nëpër Istog, Pejë, Deçan, Gjakovë dhe i afrohet Rahovecit e Malishevës që të ketë qasje në kyçjen kryesore në autostradën për Prizren.

Nga ajo që është prezantuar del se për të tria variantet janë zgjedhur korridore që kanë kosto më të ulët për Qeverinë e Kosovës, pa i cenuar parametrat teknik të autostradës, e cila do të jetë e tipit të mbyllur.

Referuar ministrit Pal Lekaj, pas konsultimeve publike në komunat përkatëse, do të përcaktohet se me cilin variant do të shkohet tutje.

Për të siguruar një vendimmarrje të drejtë, transparente, kualitative dhe për të definuar një variant më të përshtatshëm të trasesë së Autostradës, Komuna e Prizrenit në bashkëpunim me Ministrinë dhe kompaninë kontraktuese, do të organizojë debat publik, lidhur me definimin e variantit më të favorshëm të projektit ideor për segmentin e Autostradës që kalon nëpër territorin e komunës së Prizrenit.

Në këtë kontekst, komuna e Prizrenit fton të gjitha subjektet afariste, ndërmarrjet publike, profesionistët e fushave të ndryshme, qytetarët, palët tjera të interesit dhe anëtarët e Kuvendit Komunal (KK), që të jenë pjesë e debatit publik, që do të organizohet me 06 shkurt 2019, nga ora 12:00, në sallën e KK-së në Prizren./GazetaePrizrenit.net

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.