23-04-2024

Dyfishimi i shpërblimit për kampion motivon Bashkimin

Dyfishimi i shpërblimit nga Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) për klubet e basketbollit për rezultate të mira gjatë këtij edicioni, është pritur mirë nga të gjitha ekipet, në veçanti ato të Ligës së Femrave.

Te kampioni në fuqi, KBF Bashkimi besojnë që kjo lëvizje do të jetë motiv për të gjitha ekipet dhe se rivaliteti për fazën e dytë që nis muajin tjetër, do të jetë dukshëm më i madh.

Krahas Bashkimit, favoritë për trofe në basketbollin e femrave këtë edicion janë edhe Prishtina e Penza. FBK-ja, ditë më parë ka njoftuar se kampioni i Ligës së Femrave për këtë edicion do të shpërblehet me katër mijë euro.

“Skuadra kampione në Ligën e Femrave do të shpërblehet me shumën 4,000.00 euro, do të thotë me dy mijë euro më shumë se në dy vitet e mëparshme, marr parasysh investimet që i kanë bërë disa klube të kësaj lige në këtë edicion, duke e rritur kështu cilësinë në basketbollin femëror në vendin tonë”, thuhej një njoftimin e FBK-së.

Te ekipi i femrave të Bashkimit ka një vit që situata ka ndryshuar për të mirë. Me ardhjen e kryesisë së re, janë përmirësuar edhe kushtet në klub. Edicionin e shkuar, Bashkimi e ktheu titullin e kampionit pas shtatë vjetësh derisa për vitin e shkuar është shpallur si ekipi më i mirë i vitit nga Komuna e Prizrenit.

Gjithashtu, ishte klubi i parë që në Kosovë transferoi amerikane dhe pjesën e dytë të edicionit të shkuar e përfundoi pa asnjë humbje.

“Klubin e mora në një moment shumë të vështirë dhe realisht nuk kam menduar që situata ishte aq e rëndë. Por, me një mobilizim të shpejtë të kryesisë së re, ia dolëm që klubin ta vendosim në binarët e duhur dhe qytetit t’ia kthejmë titullin që i kishte munguar shtatë vjet”, ka thënë kryetari i Bashkimit, Rrahman Përteshi. “I gjithë ky përmirësim u bë, pasi u mblodhën njerëzit që e duan sportin dhe ish-sportistë për të krijuar një ekip stabil që edhe ia dolëm mbanë”.

Ai thotë se ka nevojë ende për përmirësim të kushteve, por shton së gjërat po shkojnë hap pas hapi dhe me ritëm të mirë. Së fundi, klubi ka hartuar një projekt katërvjeçar, të cilit i ka besuar trajneri Edin Kërveshi që në këtë post zëvendësoi Illmen Bajrën që fitoi titullin. Gjithë kjo sipas Përteshit nuk do të arrihej edhe pa përkrahjen e sponsorëve dhe Komunës së Prizrenit.

“Përveç trajnerëve, punë të madhe po bën edhe asistentja Fëllazana Balluku dhe gjithashtu edhe basketbollistet që po bëjnë një punë serioze për të vazhduar me rezultate të mira”, shtoi Përteshi. “Gjithashtu edhe federata po e përkrah basketbollin e femrave dhe së fundi me rritjen e shpërblimit, besoj se niveli do të jetë më i mirë në fazën e dytë. Ne do të vazhdojmë me punë dhe pres që së bashku me Prishtinën e Penzën të luftojmë për trofetë e këtij edicioni. Dëshira është që konkurrenca të jetë më e fortë edhe prej ekipeve tjera, pasi vetëm kështu mund të ngremë nivelin e basketbollit të femrave”.

Bashkimi fazën e parë e ka përfunduar në pozitën e parë në tabelë me tetë fitore në po aq ndeshje të zhvilluara kurse pastaj vijnë Penza e Prishtina. Bashkimi edhe këtë edicion ka dy amerikane që ka angazhuar sikurse edhe Prishtina. Të dyja këto ekipe do të përballen në gjysmëfinalen e Kupës së Kosovës më 27 shkurt në Rahovec./koha.net

Asnjë koment

Comments are closed.