16-04-2024

Çka solli konkursi i ri për drejtorë të shkollave në Prizren?

Shpallja e fundit e listës së kandidatëve të propozuar për drejtorë dhe zëvendësdrejtorë të shkollave të Prizrenit, konkretizoi një proces maratonik nëpër të cilin kaloi konkursi, që nisi nga 24 prilli, kur nga qeverisja e re komunale u shpall konkursi i parë për këto pozita, shkruan sot “GazetaePrizrenit.net”.

Pas anulimit të dy konkurseve të mëparshme, nga ana e kryetarit të Komunës, Mytaher Haskuka, konkursi u rishpall dhe tashmë në ditën e fundit të afatit ligjor, u shpallën emrat e 33 të propozuarve,  dy prej të cilëve zëvendësdrejtor. Përpos gjimnazit “Gjon Buzuku” të gjitha pozitat tjera janë për nivelin fillor.

Krahasuar me konkursin e parë të anuluar në rastin e 18 shkollave, ka vetëm katër ndryshime, ndërsa emrat tjerë janë të njëjtit. Në listën e të përzgjedhurve tash nuk janë Vjosa Zhubaj, në vend të së cilës në shkollën “Motrat Qiriazi” është propozuar Sedat Shkurti dhe Muharrem Elezkurtaj, në vend të të cilit në gjimnazin “Gjon Buzuku” është propozuar Jeronim Susuri.

Ndryshim ka edhe në rastin për zv/drejtor të shkollës “Mati Logoreci”,  ku në vend të Miran Feratit, propozohet Ferhat Ashikferki, për të cilin në rastin e parë është thënë se nuk i ka plotësuar kushtet. Për dallim nga konkursi i parë, kur ishin propozuar drejtorët, tash në tri shkolla, në atë të mesme të mjekësisë, të muzikës dhe në shkollën fillore të Reqanit, konkursi do të përsëritet. Një gjë e tillë, ndodh edhe në shkollën e Korishës.

Në përgjithësi janë 18 emra të rinj të propozuar, ndërsa 13 të tjerë janë të njëjtit drejtorë aktual: Islam Bajrami, Haki Gajraku, Haxhi Kabashi, Halil Shehu, Hamza Destani, Hamzi Krasniqi, Flurim Gashi, Alen Azar, Asim Karadollami, Nexhmije Zećiroviq, Hazer Shala, Arsim Kërhanaj dhe Venera Zhubi.

Sa i përket strukturës gjinore, nga të përzgjedhurit e rinj është vetëm një femër, Belkize Hoxhaj. Pos saj janë rizgjedhur edhe tri drejtoresha.

Nga 33 të propozuarit janë vetëm katër femra. Në shkollën e Ortakollit, në Piranë dhe Mazrrek, drejtoreshat janë zëvendësuar me meshkuj.

Në total, pra në 58 shkollat publike, përfshirë edhe shkollat që nuk kanë qenë në konkurs, tashmë janë gjithsej  8 drejtoresha.

Sipas informacioneve të portalit “Gazeta e Prizrenit”, në disa raste, për drejtor kanë konkurruar mësimdhënësit të cilët nuk kanë pasur normën e plotë mësimore.

Karakteristikë tjetër e këtij konkursi është se përkundër që disa drejtorë aktual kanë konkurruar në më shumë se tri shkolla, ata nuk janë rizgjedhur.

Për emrat e kandidatëve të propozuar, së paku deri tash më shumë kanë folur përfaqësues nga pozita se sa ata nga opozita. Ndonëse nuk ka pasur ndonjë qëndrim zyrtar të subjekteve, deklarimet janë bërë në forma individuale, përmes facebook-ut.

Edhe kësaj radhe partnerja në qeverisjen lokale të Vetëvendosje, LDK duket se sërish ka mbetur e pakënaqur me rezultatet për drejtorë. Përderisa drejtori për Urbanizëm Fatmir Memaj (LDK), ka shkruar se “Nisma” e Prizrenit, (që udhëheq Drejtorinë e  Arsimit) ka arrit që shumicën absolute të emrave të propozuar t’i nominojë militantët apo aktivistët e saj, kryetari i degës, njëherësh deputet, Haxhi Avdyli ka shkruar se jo vetëm ky rast, po e imponojnë nevojën e diskutimit së pari brenda degës së LDK-së, nëse eksperimenti i parë në Kosovë i bashkëqeverisjes VV- LDK-Nisma të vazhdojë apo të përfundojë.

Procesi përfundon, pas fazës së ankesave nga të pakënaqurit. /GazetaePrizrenit.net/

 

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.