Deklarohen të pafajshëm dy të akuzuarit për sulm në një tubim elektoral të AAK-së në vitin 2017

Të akuzuarit Mixhid Sedolli dhe Sulë Dakaj, në seancën e mbajtur të hënën në Gjykatën Themelore në Prizren, janë deklaruar të pafajshëm për veprat që u vihen në barrë.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Genc Nixha, Sedolli deklaroi se nuk e pranon fajësinë për përdorim të armës, armëmbajtje pa leje dhe sulm, kurse Dakaj deklaroi se nuk e pranon fajësinë për sulm.

Pas deklarimit të tyre, në fjalën e tij hyrëse, prokurori Nixha deklaroi se mbetet në tërësi sikurse në fjalën hyrëse të kolegut të tij, prokurorit Besim Susuri, në shqyrtimin e mbajtur më 20 nëntor 2019.

Mbrojtësi i të akuzuarit Mixhid Sedolli, avokati Natal Bullakaj tha se aktakuza nuk është e mbështetur në fakte dhe prova, duke shtuar se i mbrojturi i tij akuzohet për përdorim të armës dhe armëmbajtje pa leje, e që e njëjta armë nuk është gjetur nga hetuesit policorë.

Po ashtu, avokati Bullakaj deklaroi se kjo çështje do të zbardhet me dëgjimin e dëshmitarëve, zyrtarëve policorë të stacionit policor në Suharekë.

Në këto rrethana, prokurori Nixha propozoi që të ftohen të gjithë dëshmitarët e propozuar si në propozim të aktakuzës, duke shtuar se përkundër faktit se këta dëshmitarë janë dëgjuar, kjo po bëhet me qëllimin e të së vërtetës për këtë çështje penale.

Po ashtu, prokurori Nixha kërkoi që në cilësinë e dëshmitarëve të ftohen edhe zyrtarët policorë Afrim Sylaj dhe Milaim Gashi nga stacioni policor në Suharekë.

Propozimi në fjalë u mbështet edhe nga avokati Bullakaj, ku pas kësaj, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Ajser Skenderi mori aktvendim për aprovimin e propozimit të prokurorit Nixha.

Seanca u ndërpre dhe e njëjta u caktua të vazhdoj më 11 dhjetor 2020, në ora 10:00.

Ndryshe, ky rast ishe duke u gjykuar nga Gjykata Themelore në Prizren, dega në Suharekë, mirëpo pas vendimit të Gjykatës së Apelit, lënda është dërguar në kompetencë të Departamentit të Krimeve të Rënda në Gjykatën Themelore në Prizren, me 21 korrik 2020.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, të përpiluar më 30 mars 2018, i pandehuri Mixhid Sedolli akuzohet se më 3 tetor 2017, rreth orës 21:00, në fshatin Vërshec të Suharekës, në shtëpinë e Ilmi Tixhajt, deri sa ishte duke u mbajtur një tubim elektoral i AAK-së, (Aleancës së Ardhmërisë së Kosovës), ishte premtuar sjellja e një burimi të ujit të pijes nga mali në fshat.

Tutje, sipas aktit akuzues, me këtë qëndrim për sjelljen e ujit nuk është pajtuar i pandehuri Mixhid Sedolli, me arsyetimin se ky burim i ujit ishte pronë e tij, nga i cili moment kishte filluar mosmarrëveshja mes të pandehurit Mixhid dhe Sulë Dakajt, ku thuhet se të pranishmit në atë takim kishin ndërhyrë për t’i ndarë.

Sipas aktit akuzues, pasi del jashtë i pandehuri Mixhid, shkon në shtëpi dhe merr pushkën e gjatë (dhjetëshe), ku nga largësia prej 300-400 metrave gjuan me armën katër herë në ajër, ku më pas i është afruar edhe shtëpisë ku ka qenë duke u mbajtur tubimi, ku e ka vërejtur Hashim Tixhaj, i cili e ka bindur të akuzuarin për tu larguar, duke e përcjellë deri në shtëpinë e tij.

Me këto veprime, i pandehuri Mixhid Sedolli akuzohet se ka kryer veprën penale “përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.

Sipas pikës dy të aktakuzës, i pandehuri Mixhid akuzohet se me datë, kohë dhe vend të njëjtë si në dispozitivin më lartë, ka poseduar në kundërshtim me ligjin pushkën 10-tshe, të cilën e ka fshehur dhe nuk ka mundur të gjendet nga policia.

Me këto veprime, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Ndërsa sipas dispozitivit të tretë të aktakuzës, në kohë dhe vend të njëjtë, i pandehuri Mixhid akuzohet se ka përdorur fjalë fyese ndaj Sulë Dakajt, ku edhe e ka sulmuar fizikisht, e që janë ndaluar nga të pranishmit aty.

Me këto veprime, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “sulmi”.

Ndërsa sa i përket të pandehurit Sulë Dakaj, ai po akuzohet se më datë dhe vend të njëjtë si në dispozitivin e parë të aktakuzës, me dashje e ka përdorur forcën ndaj Mixhid Sedollit, ku për shkak të burimit të ujit e ka sulmuar dhe më pas kanë ndërhyrë të pranishmit për t’i ndalur.

Me këto veprime, i pandehuri Dakaj akuzohet se ka kryer veprën penale ”sulmi”. /BetimipërDrejtësi