25-07-2021

Dëmtime në selinë e PDK-së në Prizren (FOTO)

Objekti i PDK-së në Prizren ka pësuar dëme, për shkak të reshjeve të fundit të shiut.

Ndërtesa ku ndodhet selia e degës, ditë më parë ka filluar të riparohet, dhe në këtë kontekst i është hequr kulmi, por punimet janë pezulluar, shkaku i ndërhyrjes nga Komuna e Prizrenit, që ka pezulluar lejen përkatëse.

Pas kësaj kishte reaguar ky subjekt politik, nëpërmjet kryetarit të degës, Shaqir Totaj, i cili ndër tjera ka shfaqur shqetësimin për rrezikun nga dëmtimi të objektit nga shiu.

Sipas përfaqësuesve të PDK-së, shiu i djeshëm shkaktoi dëme në brendinë e objektit. Për këtë ka reaguar ashpër PDK-ja në Prizren, në të cilin thuhet:

“Në paraqitjen e fundit publike të PDK-së dega në Prizren, përmes një konference për media, kryetari i degës z.Shaqir Totaj, argumentoi faktet dhe të drejtën për renovim të zyreve, të cilat shfrytëzohen nga PDK në Prizren, ndërsa pas pezullimit tendencioz të lejes për renovim nga Drejtoria për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor, kryetari i degës alarmoi se pas heqjes së çatisë, mund të kemi dëme të mëdha në zyre, dhe ashtu ndodhi pasi që pas reshjeve të fundit atmosferike, selia e degës pëson dëme të konsiderueshme.

E keqja më e madhe është që po rrezikohet një objekt, i cili është nën mbrojtje dhe me vlera të veçanta arkitektonike dhe trashëgimore brenda zonës së mbrojtur të qendrës historike, nga papërgjegjësia dhe mos dija e këtij pushteti aktual, konkretisht nga injoranca dhe jo profesionalizmi i kryetarit të komunës dhe stafit të tij, i cili nuk ka haber në çështjen e mbrojtjes dhe rëndësisë së objekteve me karakter historik në zemër të Prizrenit. Kryetari i Komunës nuk do të duhej të i ndalonte punimet, por do të duhej edhe të investonte në rregullimin e objektit në fjalë, sepse ky objekt është pronë komunale dhe si lokacion është në zonën e parë historike, dhe supozohet se do duhej t’i mbanin premtimet elektorale, që po dalin të jenë boshe, për investime në trashëgiminë kulturore, ndërsa këta pushtetarë injorant rezultojnë të jenë sabotues, demagogë dhe çka është më e keqja edhe shkatërrues të trashëgimisë kulturore në Prizrenin e lashtë dhe kryeqytetin historik.

Këto vendime skandaloze të pushtetit shkatërrues, kanë vetëm një qëllim me këto veprime, hakmarrjen politike ndaj një subjekti i cili sot gjindet në opozitë në nivel lokal, subjekt i cili është më meritori nëpër të gjitha etapat në të cilat ka kaluar vendi ynë, për dallim prej VV-së, i cili ka mision shkatërrimin e të ardhmes së qytetit tonë historik.

Andaj ftojmë institucionet kompetente të vizitojnë objektin në fjalë, dhe të shohin dëmet e pësuara në aspektin material, funksional dhe dëmtimit serioz në strukturë dhe mure në objektin e shekullit të XIX-të, në veçanti ftojmë Qendrën Rajonale për Trashëgimi Kulturore (QRTK) të vizitoj për së afërmi vendin e ngjarjes, të monitoroj se si po rrezikon të shkatërrohet një objekt me vlera të lashta dhe nën mbrojtje. Gjithashtu QRTK dhe institucionet tjera relevante të vlerësojnë edhe dëmet e shkaktuara, nga neglizhenca dhe papërgjeshmëria e mos-veprimit institucional”, thuhet në komunikatën për medie të degës, që është shoqëruar me disa foto. /GazetaePrizrenit.net

 

Asnjë koment

Comments are closed.