25-04-2024

Dënim me gjobë policit në Prizren që goditi qytetarin për parkim

Gjykata Themelore e Prizrenit -Departamenti i Përgjithshëm Penal ka bërë shpalljen e aktgjykimit dënues ndaj të akuzuarit me iniciale H.H. nga fshati Mushtisht i Suharekës dhe e ka shpallur fajtor për veprën penale keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike,  duke i shqiptuar dënim me gjobë në shumën prej 500 (pesëqind) euro.

Në arsyetimin e aktgjykimit, thuhet se me datën 04.03.2017,  rrethe orës 03:15 minuta në Prizren, saktësisht në Stacionin Policor ALFA,  ku i pandehuri ishte duke e kryer detyrën zyrtare si polic statik dhe përderisa i dëmtuari me iniciale K.H. kishte shkuar në këtë Stacion Policor për të dhënë një deklaratë lidhur me rastin e vjedhjes që i kishte ndodhur në lokalin  “Gama”, ku ai punon si menaxher, sapo hynë në oborrin e Stacionit për ta parkuar veturën, ofrohet i pandehuri dhe i thotë se nuk lejohet parkimi i veturave civile dhe se vetura duhet larguar.

“Më pas i dëmtuari, automjetin e tij e parkon jashtë oborrit të Stacionit në afërsi të portave hyrëse ku kishte edhe vetura tjera civile, mirëpo i pandehuri në cilësinë e zyrtarit policor del me nxitim duke i kërkuar që ta largoj automjetin edhe nga aty, mirëpo derisa i dëmtuari ishte duke i thënë se ku ta dërgonte veturën, i pandehuri e nxjerr jashtë duke e përdor forcën, si dhe gjatë shoqërimit për në stacion e godet dy-tri herë me grushte në fytyrë duke i shkaktuar frikë dhe lëndime të lehta trupore”, thuhet në aktgjykim.

Asnjë koment

Comments are closed.