26-04-2024

Prizren: Inspektorati vazhdon heqjen e konstruksioneve metalike në “Shatërvan”

Komuna e Prizrenit ka vazhduar aksionin për largimin e konstruksioneve metalike përbrenda Qendrës Historike (QH). Sot janë hequr ato në lokalet që gjenden në sheshin “Shatërvan”, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.

“Kujtojmë edhe njëherë që qëllimi i këtij aksioni është zbatimi i plotë i Ligjit për QH, ku për mbrojtjen e autencititetit dhe integritetit të kësaj zone janë përcaktuar qartazi aktivitetet e kufizuara dhe të ndaluara, ku ndër tjerash përfshihen edhe konstruksionet e këtilla të cilat nuk kanë leje nga organet përgjegjëse dhe po largohen në kuadër të këtij aksioni nga ana e Drejtorisë së Inspektorateve”, thuhet në njoftim.

Me tej, thuhet se inspektorati sot është detyruar përsëri që të ndërmerr masa për largim të detyrueshëm të konstruksioneve, pasi që nuk është marrë vetë iniciativë për largimin e tyre nga ana e pronarëve të objektit afarist përkatës.

Komuna e Prizrenit u bënë thirrje të gjithë pronarëve të objekteve afariste brenda Qendrës Historike që të kenë mirëkuptim dhe të tregojnë gatishmërinë e tyre për respektimin e plotë të ligjit në fuqi.

Javën e kaluar veprime të këtilla janë ndërmarrë edhe ndaj disa lokaleve te tjera, që ndodhen në qendër./GazetaePrizrenit.net”.

Fotografia e Komuna e Prizrenit

Asnjë koment

Comments are closed.