27-01-2021

Dënohet me 15 vjet burg serbi që vrau 9 civilë shqiptarë në Kroaci

Gjykata e Lartë në Beograd miratoi një vendim për dënimin e Boshko Soldatoviqit me 15 vjet burgim për vrasjen e nëntë civilëve shqiptar, më 11 nëntor 1991, në qytetin kroat të Bogdanovcit, jo shumë larg Vukovarit.

Organizata joqeveritare Fondi për të Drejtën Humanitare, e cila merret me krimet e luftës, vlerësoi se dënimi ishte i drejtë dhe i përshtatshëm për peshën e veprës së kryer.

Lexo Edhe:

Arrestohen katër persona për skema piramidale në Prizren

“Gjykimi filloi më 16 janar 2020 dhe përfundoi më 8 dhjetor 2020, me miratimin e vendimit të shkallës së parë, gjë që e bën këtë procedurë shumë efikase dhe njëkohësisht një shembull të gjykimit brenda një kohe të arsyeshme. Deri më tani, kjo është procedura e shkallës së parë më e shpejta në Serbi dhe kjo praktikë duhet të vazhdojë edhe në të ardhmen”, tha Fondi për të Drejtën Humanitare në një deklaratë.

Më 12 dhjetor 2018, Prokuroria e Krimeve të Luftës ngriti një aktakuzë kundër Soldatoviqit, një anëtar i Policisë Ushtarake të Brigadës së Dytë të ish-Ushtrisë Jugosllave (JNA).

Ai akuzohej se më 11 nëntor 1991, në Bogdanovc, e cila ishte nën kontrollin e JNA-së, pranë ndërtesës së bashkësisë lokale, vrau nëntë shqiptarë.

Bazuar në dëshminë e bashkëluftëtarëve të Soldatoviqit, gjykata vërtetoi se ai i kishte kryer këto vrasje, ndërsa dëshmitarët – që nuk ishin dëshmitarë okularë të drejtpërdrejtë – pretenduan se midis anëtarëve të JNA-së është thënë se këta civilë u vranë nga Soldatoviq.

Fondi për të Drejtën Humanitare kujtoi në deklaratë se Prokuroria e Krimeve të Luftës në korrik të vitit 2019 ngriti padi penale kundër komandantit të JNA-së, Dushan Lonçar për krime në Bogdanovc, sepse si komandant i brigadës, anëtar i të cilit ishte Soldatoviq, ai nuk bëri asgjë për të përcaktuar se kush vrau civilë, megjithëse ishte i pranishëm fizikisht në Bogdanovc.

Në vitin 2016, Fondi paraqiti një tjetër ankesë penale kundër Lonçar në Prokurorinë e Krimeve të Luftës për një krim të kryer në qytetin kroat të Lovas më 1991, kur Lonçar urdhëroi një sulm ndaj një “popullsie civile armiqësore”.

Deri më sot, Prokuroria nuk ka filluar një hetim kundër Lonçarit për asnjëren nga këto dy krime, tha Fondi për të Drejtën Humanitare.

Asnjë koment

Comments are closed.