20-04-2024

Haskuka i cilëson të padrejta kritikat e opozitës për nepotizëm

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka duke kundërshtuar pretendimet e opozitarëve ka theksuar se në muajt e fundit janë punësuar mbi 50 persona dhe se opozita ka gjetur një apo dy raste dhe po mundohet t’i problematizojë ato.

Sipas tij, në konkurse janë përzgjedhur më meritorët dhe ka ftuar opozitën që t’i kontrollojnë dokumentet.

“Nëse ka vërejtje lidhur me procesin ne i marrim parasysh. Këto vërejtjet kështu me gjet prej 50 personave një person apo dy që ka lidhje familjare dhe pastaj me paraqit këto si nepotizëm është e padrejtë”, ka thënë ai.

Ndryshe, PDK-ja ka adresuar shqetësimet e saja edhe rreth platformës digjitale të DKA-së për mësimin në distancë si dhe mosfunksionalizimin e çerdhes publike në lagjen “11 marsi”.

Opozita në Prizren po akuzon qeverinë lokale për nepotizëm lidhur me punësimet në sektorin e arsimit. Sipas tyre, ndonëse Vetëvendosje kishte premtuar ndryshim të praktikave të tilla në arsim, një gjë e tillë nuk po jetësohet. Në anën tjetër zyrtarët komunalë këto akuza i kanë vlerësuar si të padrejta.

Kryetari i degës së PDK-së në Prizren, Shaqir Totaj ka pohuar se në konkurset e fundit të Drejtorisë Komunale të Arsimit ka informata se ka pasur punësime të personave që kanë lidhje familjare me anëtarët e VV-së.

“E kemi parë që kanë qenë tre persona, të cilët janë pranuar në punë dhe që janë shumë të afërt dhe se ekziston indikacion për lidhje nepotike. Më lejoni të përkujtoj se Vetëvendosja ka qenë shumë e zëshme mos të them agresive në kritika ndaj të gjitha partive tjera , kurse tani kur vet janë në pushtet vazhdojnë me avazin e njëjtë, me avazin e vjetër, bile janë bërë më radikal në këtë aspekt”, ka thënë Totaj./KOHA/

Lexo edhe:

PDK në Prizren akuzon VV-në për keq-qeverisje në arsim, publikon dy manipulime

Asnjë koment

Comments are closed.