06-05-2024

Dënohet me burgim me kusht dhe gjobë për shkak të shantazhit në “Messenger”

Shqipdon Jahaj, i akuzuar për veprën penale të shantazhit, të mërkurën është dënuar nga Gjykata Themelore në Gjakovë me gjashtë muaj burgim dhe 300 euro gjobë.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësja e rastit, Ilirjana Hoti, dënimi me burg nuk do të ekzekutohet nëse i njëjti nuk kryen vepër tjetër penale brenda një viti, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Vendimi ndaj Jahajt u mor pasi ai pranoi fajësinë në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 16 tetor të këtij viti.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Shqipdon Jahaj, në kohë të pacaktuar e deri më 15 mars 2017, me qëllim përfitimi të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo për tjetrin, përmes rrjetit social “Messenger” e shantazhon të dëmtuarin Xhelal Kaçi.

Në aktakuzë thuhet se Jahaj edhe e kanos Kaçin, në atë mënyrë që i drejtohet me fjalët “Nëse nuk m’i dërgon 100 euro në këtë numër të llogarisë…, e në këtë numër të kartelës…, të gjitha fotot tua të pranuara përmes mesengjerit tim, do t’i publikoj përmes rrjetit social”, ku të dëmtuarin e detyron që të deponoj para në xhirollogarinë e tij dhe i merr 20 euro.

Për këto veprime, Jahaj akuzohej se e ka kryer veprën penale “shantazh” nga neni 341 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /Betimipërdrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.