Dënohet me gjobë i akuzuari që pranoi fajësinë për posedim të marihuanës në Sharr
Gjykata Themelore në Prizren, dega në Dragash, e ka dënuar me 200 euro gjobë të akuzuarin për posedim të paaturizuar të narkotikëve, Senad Xheladini.
Aktgjykimin ndaj tij, e ka shpallur gjyqtari Bekri Vehapi, pasi që i pandehuri Xheladini, e ka pranuar fajësinë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ai ka thënë se i vjen keq për atë që ka ndodhur dhe se ndihet i penduar për veprimin e bërë, pasi ka shtuar se ai nuk është përdorues i narkotikëve, por që atë ditë vetëm e ka provuar.
I akuzuari ka thënë se premton se më nuk do ta përsërisë një vepër të tillë.
Pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit, nuk e ka kundërshtuar as prokurorja Sahide Sefa, pasi që siç ka thënë ajo është bërë në mënyrë të vullnetshme.
Gjykatësi Bekri Vehapi e ka obliguar të pandehurin edhe me shpenzimet procedurale dhe atë 20 euro në emër të paushallit gjyqësor dhe 30 euro në emër të viktimave të krimit.
Sipas aktakuzës së ngritur më 27 nëntor 2018, nga Prokuroria Themelore në Prizren, i pandehuri Senad Xheladini akuzohet se më 26 qershor 2018, rreth orës 15:00, në fshatin Zgatar, posedon pa autorizim narkotikë të tipit “marihuanë”.
Në bazë të aktakuzës, gjatë kontrollit të ushtruar nga policia, Xheladinit i është gjetur një qese najloni, e cila i sekuestrohet si substancë e dyshuar narkotike, dhe e cila pas ekzaminimit laboratorik rezulton të jetë “mariuhanë” me peshë 1.14 gram. /Betimipërdrejtësi