29-11-2024

Dënohet me gjobë inxhinieri i pylltarisë në Prizren

 Gjykata Themelore në Prizren, këtë të marte, e ka dënuar me 1500 euro gjobë të akuzuarin Izet Osmanaj për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Fillimisht gjykata ndaj të akuzuarit Osmanaj ka shqiptuar dënimin prej 6 muajve burgim, por i cili dënim me pëlqimin e të akuzuarit është zëvendësuar me dënim me gjobë në shumën prej 1500 euro, raporton Betimi për Drejtësi.

Në dënimin e shqiptuar do të llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim si dhe koha e kaluar në arrest shtëpiak.

Gjithashtu sipas aktgjykimit janë konfiskuar 43,92 metra kub drunj.

Po ashtu, i akuzuari Osmanaj obligohet që në emër të paushallit gjyqësor të paguaj shumën prej 50 euro, si dhe 50 euro në emër të fondit për kompensimin e viktimave të krimit.

Ndryshe, i akuzuari Osmanaj, në seancën e datës 30 maj 2022 ka pranuar fajësinë për veprën penale për të cilën ngarkohej.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prizren, me 3 mars 2022, Izet Osmanaj me datë 27 janar 2022, akuzohet se në cilësinë e personit zyrtar, inxhinier i pylltarisë pranë Autoritetit Pyjor në kuadër të Drejtorisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Komunës së Prizrenit, ka tejkaluar kompetencat e tij duke keqpërdorur detyrën e tij zyrtare.

Bazuar në aktakuzë, i njëjti në ditën kritike pa kaluar në procedurat e tenderimit dhe në kundërshtim me vendimet e Drejtorisë së Shërbimeve Publike, kishte angazhuar kompaninë Sh.p.k “Bredhiku” të bëjë prerjen dhe krasitjen e drunjëve në parkun e qytetit, e cila kompani këto drunjë në sasi prej 43,96 , i dërgon në hapësirat e zonës industriale në Lubizhdë.

Me këto veprime po akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 paragarf 1të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.