Dënohet me kusht A. Delijaj, pasi pranoi fajësinë
I akuzuari për lëndim të lehtë trupor, Arianit Delijaj, sot është dënuar me burgim me kusht prej gjashtë muajsh, pasi që paraprakisht kishte arritur marrëveshje me Prokurorinë Themelore në Prizren, për pranimin e fajësisë.
Në seancën gjyqësore, ku është shqyrtuar marrëveshja e arritur në mes të akuzuarit dhe organit të akuzës, i pandehuri Delijaj dhe mbrojtësi i tij, avokati Vehap Hashani, kanë kërkuar që marrëveshja si e tillë të pranohet nga gjykata, pasi që sipas tyre, është lidhur me vullnet dhe sipas ligjit.
Po ashtu edhe prokurorja e rastit, Elfete Purova, ka deklaruar se marrëveshja është arritur me vullnetin e të pandehurit dhe pa asnjë lloj presioni, duke rekomanduar dënimin prej gjashtë muajsh burgim, i cili nuk do të ekzekutohet nëse i pandehuri nuk kryen vepër të re penale brenda periudhës dy vjeçare.
Gjyqtarja e rastit, Teuta Krusha, pasi është bindur nga deklarata e të akuzuarit se me dëshirë dhe pa presion ka hyrë në këtë marrëveshje dhe se i njëjti i kupton pasojat që rrjedhin nga ajo, ka aprovuar në tërësi marrëveshjen dhe të akuzuarit i ka shqiptuar dënimin e rekomanduar.
Ndryshe, Arianit Delijaj, akuzohej nga Prokuroria Themelore në Prizren se më 30 qershor 2018, pas një mosmarrëveshjeje paraprake me të dëmtuarin, Sead Qyse, e sulmon të njëjtin me thikë, me ç’rast i ka shkaktuar atij lëndime të lehta trupore./betimiperdrejtesi/