19-04-2024

Deputetët prizrenas: çështjet politike po shmangin problemet e qytetarëve

Prizrenasit nuk kanë treguar ndonjë interesim për takim me deputetet e Kuvendit të Kosovës, shumica nga Prizreni dhe rajoni.

Pak sosh kanë marrë pjesë, në takimin e organizuar drejtpërdrejt me deputetet e të gjitha partive, në kuadër të aktivitetit  “Ditët e Kuvendit”.

Derisa vetë deputetet e kanë vlerësuar nevojën e takimeve me qytetarët, këta të fundit, pothuajse kanë bojkotuar takimin, për të cilin nuk mund të thuhet se nuk kishte paralajmërim të duhur.

Qytetarët e paktë, të pranishëm në takim, kryesisht kanë ngritur çështjen e Parkut të Biznesit, të personave me aftësi të kufizuar si dhe heqjen e kartonit të gjelbër për diasporën.

Njëri prej tyre, ndërkaq ka kërkuar nga deputetët nëse ata dinë se kur do të sanksionohen deputetët, të cilët përdorin “gjuhë degraduese” në Kuvend.

Në këtë takim kanë marrë pjesë deputetët: Driton Selmanaj, Haxhi Avdyli, Nait Hasani, Arbër Rexhaj, Shqipe Pantina, Blerim Kuçi, Nezir Çoçaj, Zafir Berisha, Fikrim Damka, dhe Emilija Rexhepi

Derisa deputeti, Selmanaj ka thënë se është i gatshëm të ballafaqohet me qytetarët, për të marrë mendimet dhe shqetësimet e tyre, Çoçaj vlerësoi se shumë pak ka takime të tilla, me ata të cilët edhe i kanë dërguar ata në Kuvend.

Deputeti Avdyli, ka potencuar se shpesh herë çështjet politike, po bëjnë që të anashkalohen problemet e qytetarëve.

Deputeti Rexhaj ka thënë se qytetarët e dinë se ai është gjithnjë i gatshëm t’i takojë, ndërsa Zafir Berisha, ka shprehur optimizëm se kryetari Haskuka, do ta mundësoi hapjen e zyrës për deputetët e Prizrenit, për të mundur që ata të takohen sa më shpesh me qytetarë.

Ndryshe, interesimi i qytetarëve në takim nuk ka përmbushur as pritjet e organizatorit.

Asnjë koment

Comments are closed.