25-04-2024

Deputeti Hasani kërkon 50 milion euro nga Bashkimi Evropian

Deputeti nga Prizreni, Nait Hasani  (PDK)  ka kërkuar nga përfaqësuesja e lartë e BE-së në Kosovë,  Natalya Apostolova, që BE të bëj investime në vlerë prej 50 milionë euro, në formë të mbështetjes për zhvillim ekonomik dhe mbrojtjes së vlerave të Prizrenit, transmeton “Gazeta e Prizrenit.net”.

Ai thotë se këtë e ka bërë, tri ditë më parë gjatë darkës që shtroi ambasadorja  Apostollova me kryetarin e Komunës, Mytahar Haskuka, ministrin Kujtim Gashi si dhe  deputetët e të gjitha partive nga regjioni i Prizrenit.

“Kërkova mbështetje në projekte  infrastrukturore  dhe  zhvillim ekonomik  të Komunës së Prizrenit dhe në mbrojtjen e vlerave të Prizrenit,  si qytet e tashmë edhe si Kryeqytet historik. Kërkova investime në mirëmbajtjen e shtëpive të vjetra, pastaj  ndërtimin e shesheve, të rrugëve, pastaj  ujësjellësve dhe krijimin e unazave për transporte të rënda me çka  do të krijohet mundësia e lëvizjeve të lira nëpër qendër  dhe ruajtje  të trashëgimisë kulturore”, tha ai.

Deputeti tha se ka kërkuar buxhet dhe ndihma nga BE, në vlerë prej 50 milion euro për ruajtjen dhe mbrojtjen e zhvillimin të Prizrenit,  si një qytet metropol evropian në trashëgimi kulturore që ka Prizreni me shekuj. Në këtë kërkesë me mbështetën dhe të gjithë deputetet nga regjioni i Prizrenit dhe kryetari i komunës”, tha Hasani për portalin “Gazeta e Prizrenit”.

I pyetur se cili kishte qenë reagimi i ambasadores, ai tregon se Apostolova i ka thënë se BE ka investuar diku rreth 14 milion euro, ndërsa po ashtu edhe miqtë e tyre kanë realizuar shumë projekte.

Në këtë kontekst, Hasani ka thënë se për një qytet si Prizreni janë të pamjaftueshme ato mjete, prandaj edhe po kërkohen më shume investime.

Asnjë koment

Comments are closed.