Deputetja gjermane: Reagimi i Vuçiq për njohjen e Kosovës është skandaloz, ai na ka mashtruar!
Kancelari gjerman Olaf Scholz ka nisur sot vizitat zyrtare në Ballkanin Perëndimor, ku pas Kosovës, ka vizituar edhe Serbinë.
Pas takimit të tij me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, të dy bashkë dolën në një konferencë për media.
Gjatë kësaj konference të dy palët folën mbi bisedën e tyre për situatën politike në Evropë, me theks të veçantë në Ukrainë.
“Ne folëm për situatën e përgjithshme politike në Evropë dhe në botë dhe ai haptazi dhe fuqishëm kërkoi që ne t’i bashkohemi sanksioneve”, tha Vuçiq.
Ai gjithashtu tha se ishte i habitur që Scholz i kërkoi njohje të ndërsjellë të pavarësisë së Kosovës, duke deklaruar qe një gjë e tillë nuk është kërkuar asnjëherë nga akterët e BE-së.
Lidhur me këtë ka reaguar deputetja e Bundestagut gjerman, Renata Alt, raporton Indeksonline.
Ajo e ka quajtur skandal reagimin e Vuçiqit, teksa ka bërë thirrje që të ndërprehen bisedimet e BE-së me Serbinë, nën arsyetimin se Vuçiq po i mashtron të gjithë.
“Reagimi i Presidentit të Serbisë gjatë konferencës për media mbi kërkesën për njohjen e Kosovës është skandaloz. Negociatat e anëtarësimit me BE-në duhet të ngrihen! Vuçiq na ka mashtruar për një kohë të gjatë” shkroi ajo në Twitter.
Presidenti serb tashmë ka bërë me dije që qëllimet e tij në dialogun Kosovë-Serbi nuk përfshijnë njohje të pavarësisë së Kosovës./Indeksonline/