Mungesa e mjeteve buxhetore dhe telashet me operatorët ekonomikë për sivjet sfidojnë Drejtorinë e Arsimit të Prizrenit. Ndaj disa projekte kapitale të kësaj drejtorie të planifikuara për 2018 nuk do të realizohen.
Zyrtarët e lartë të Komunës së Prizrenit të mërkurën kanë pranuar se në disa projekte kanë probleme me operatorët ekonomikë, disa projekte të tjera mungojnë mjetet për shkak të ndërhyrjeve të përmbaruesve, shkruan sot Koha Ditore.
“Jemi duke punuar në bazë të planifikimit të bërë më herët. Janë 17 projekte kapitale të infrastrukturës shkollore. Në disa projekte ka telashe, ku disa janë telashe për shkak të operatorëve ekonomikë, disa janë telashe që ne kemi ndërhyrje të përmbaruesve dhe na mungojnë mjetet buxhetore”, ka thënë drejtori i DA-së, Skënder Susuri, gjatë një konference të përbashkët me kryetarin Mytaher Haskuka, ku është prezantuar puna 6- mujore e këtij dikasteri.
DA-ja i ka paraqitur një raport kryetarit Haskuka, ku përshkruhen projektet ‘problematike”.