Prizren: Vjedhje në objektin e ambulancës në ndërtim, zhduken 7 televizorë, kabllo dhe shkaktohen dëme të mëdha
Një vjedhje e rëndë është raportuar më 6 tetor në një objekt që është duke u ndërtuar për nevojat e Kuvendit Komunal të Prizrenit, në rrugën “Rrust Kabashi”.
Siç njofton Sinjali menaxheri i firmës ndërtuese “EBK”, L.Sh. ka shkuar sot në objekt pas një periudhe rreth dy mujore dhe ka vërejtur se aty kishte ndodhur vjedhje.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, nga objekti janë marrë 7 televizorë, kabllo elektrike dhe sende të tjera, ndërsa janë shkaktuar edhe dëme të konsiderueshme materiale.
Vlera e saktë e dëmit dhe e gjësendeve të vjedhura ende nuk është përcaktuar, por sipas të dhënave fillestare bëhet fjalë për një shumë të konsiderueshme.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë patrulla policore dhe hetuesit e stacionit, ndërsa për shkak të dëmeve të mëdha janë angazhuar edhe Hetimet Rajonale dhe Krim-teknika.
Rasti është duke u trajtuar si “Vjedhje e rëndë”, ndërsa hetimet për identifikimin e personit apo personave të dyshuar po vazhdojnë.


