24-11-2024

Dita e Bashkimit

Klubi i basketbollit “Bashkimi” me optimizëm pret ndeshjen finale ndaj ekipit të Sigal Prishtinës, që zhvillohet sonte në orën 21:00 në Prizren. Klubi ka premtuar angazhim maksimal për fitore, në mënyrë që adhuruesit prizrenas ta kenë mundësinë për një kremte madhështore, raporton “Gazeta e Prizrenit.net”.

” T’a shkruajmë HISTORINË së bashku!  Me këtë fjali nisë njoftimin zyrtar Bashkimi.

Kryetari i klubit,  Shaqir Totaj, derisa thotë së lojërat e deritashme treguan që nuk ishte lehtë që kampioni aktual Sigal Prishtina të mposhtet tri herë radhazi, shprehet optimist që sonte Bashkimi me gjasa shumë të mëdha kërkon fitoren e tretë historike për t’u stolisur me titullin e parë të kampionit.

“Adhuruesit e basketbollit pa dallim i ftojmë ta përkrahin klubin e qytetit tonë drejt fitores për të festuar pastaj titullin. Jemi të motivuar dhe të fokusuar në marshin tonë drejt arritjes historike. Forca Bashkimi Kampion”, ka thënë ai për “Gazeta e Prizrenit.net”.

Në Prizren atmosfera për fitore veçse ka nisur. Simpatizantët prizrenas të njohur si “Arpagjiktë” i kanë dhënë gjallëri atmosferës sportive. Ata kanë stolisur me flamuj Kalanë dhe qytetin. Kjo është bërë si motivim në prag të ndeshjes ku “Arpagjikët” presin që Bashkimi të shpallet kampion dhe të rrëmbejë titullin historik!

“Momenti historik po afron, e pritjes së gjatë po i vjen fundi..KUPA PO VJEN, KUPA PO VJEN! Pas fitores së madhe mblidhemi në Sheshin Shatërvan për të festuar titullin e parë në histori të klubit!”  Është po ashtu shkrimi tjetër zyrtar i klubit, në prag të ndeshjes historike.

Kjo është ndeshja e katërt finale e plejofit në IP Superligën e Kosovës në basketboll. Bashkimi i ka fituar dy ndeshjet e para (në Prishtinë dhe Prizren) ndërsa prishtinasit lojën e tretë si nikoqire. Rezultati aktual është 2:1 për Bashkimin,  prandaj fitorja e sotme e tij e përcakton si kampion. Ndryshe, duhet të zhvillohet edhe një ndeshje në Prishtinë.

Bashkimi ka ftuar për pjesëmarrje  masovike për ta bërë këtë spektakël madhështor. “Së bashku të krijojmë një atmosfere sportive pa sharje, ofendime, kërcënime dhe dukuri të tjera tjera negative”, ka shkruar klubi.
Besojmë që sonte në qendrën sportive, nuk do të mungojë përkrahja, ndërsa nga Bashkimi kemi një kërkesë: Gëzoni sonte prizrenasit!

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.