Dita e madhe për Realin, sot mund të shpallet kampion
Futbolli nuk mungon për asnjë ditë në ekranin e Supersport në këtë verë të ngjeshur me tre kampionatet kryesore europiane, La Liga, Premier League dhe Serie A.
La Liga luan javën e parafundit këtë të enjte e cila do të luhet e gjitha në një orar pikërisht në 21:00.
Reali Madridit i cili i ka vendosur tashmë pothuajse të dyja duart te titulli, ka mundësinë ideale për t’u shpallur edhe zyrtarisht kampion i Spanjës për edicionin 2019-2020 nëse fiton sot në sfidën shtëpiake ndaj Villareal.
Për të fituar kampionatin skuadrës së Zidane do t’i mjaftonin edhe dy barazime në dy ndeshjet e fundit por Benzema me shokë do të kërkojnë të mbyllin llogaritë që sot në sfidën ndaj nëndetses së verdhë.
Po në orën 21:00 në Camp Nou, Barcelona pret Osasusën me sytë se çfarë do të ndodhë në sfidën mes Los Blancos dhe nëndetses së verdhë.
Atletico e Madridit dhe Sevilla që kanë siguruar edhe matematikisht kualifikimin në Champions League për sezonin e ardhshëm luajnë dy transferta delikate ndaj dy kundërshtarëve që luftojnë për një vend në Europa League.
Los Colchoneros luajnë derbin e vogël të Madridit ndaj Getafes ndërsa andaluzianët udhëtojnë në komunitetin bask për t’u përballur me Real Sociedad.
Në Serie A e enjtja është dita e Interit që nëse triumfon në transfertën ndaj Spal të vendit të fundit do ta ngushtonte në -6 pikë diferencën me Juventusin e vendit të parë dhe mbi të gjitha skuadra e Conte do të rimerrte vendin e dytë.
Më herët në orën 19:30 për javën e 33-të të Serie A luhet edhe sfida direkte për mbijetesë mes Torinos dhe Genoas.
Në Premier League është dita e Manchester United që për të shpresuar deri në fund te një vend në Champions League për sezonin e ardhshëm duhet patjetër të fitojë në transfertën londineze të orës 21:15 ndaj Crystal Palace, ndërkohë në orën 19:00 Evertoni i Ancelottit mund t’i japë goditjen e fundit Aston Villas që po shkon drejt rënies nga elita e futbollit anglez.