25-04-2024

DokuFest: Mbi 260 filma në progam këtë vit

Edicioni i 17-të i festivalit të filmit që mbahet parvjetshëm në Prizren “ DokuFest”, këtë vit do të mbahet në datat 3-11 gusht.

Drejtoresha e këtij festivali, Nita Deda, në konferencën e parë për media të këtij edicioni, ka shpalosur informacione rreth programit të festivalit që këtë vit trajton si tematikë “Reflektimin”.

“E kemi një program masiv prej 260 filmave, prej performancave të muzikës që sivjet janë në tri skena të ndryshme, ekspozita të fotografisë, paneleve dhe masterklasave si dhe një numri të madh të njerëzve nga industria e filmit që do të jenë pjesë e festivalit, po ashtu presim një fluks të madh të turistëve në Prizren”, ka thënë Deda.

Deda ka treguar po ashtu që performancat muzikore të DokuFest-it do të mbahen në tri skena në Prizren: në Marash, Kalanë e Prizrenit dhe në skenën e Lumbardhit.

Ndërsa drejtori artistik i DokuFest-it, Veton Nurkollari, ndër të tjerash ka treguar se në këtë edicion do të marrin pjesë 87 regjisore gra, të cilave tha se janë munduar t’i japin më shumë hapësirë duke marrë parasysh edhe rastet që janë shfaqur në fushatat senzibilizuese kundër abuzimit ndaj grave si ajo “MeToo” dhe” Speak Up”, transmeton kosovapress.

Mbi 260 filma sivjet në DokuFest

Ai po ashtu ka treguar që temën e festivalit do ta shënojnë me shfaqjen e filmit Mirror (Pasqyra).

“Do ta shfaqim filmin e regjisorit rus Andrei Tarkovsky, “Mirror”, në një formë ta shënojmë edhe temën e festivalit, po do të shfaqim edhe shumë e shumë filma tjerë. Sikur tha Nita, jemi në pritje të një numri të madh të njerëzve nga industria e filmit, një numër i konsiderueshëm i regjisorëve kanë konfirmu pjesëmarrjen në festival”, ka thënë Nurkollari.

Ndërsa, Samir Karahoda, programer i filmave nacionalë dhe të shkurtër, tha se do të ketë më shumë pjesëmarrje të artistëve shqiptarë dhe do të rritet numri i aktiviteteve për fëmijë.

Kurse drejtori ekzekutiv i këtij festivali, Eroll Bilibani ka folur rreth paneleve, debateve dhe punëtorive që do të mbahen në kuadër të DokuFest-it dhe ka thënë se debatet kryesisht do të jenë për zhvillimin e industrisë së filmit dhe sektorit të kulturës.

DokuFest është festival i përvjetshëm ndërkombëtarë i filmit në Kosovë, dhe çdo vit trajton tema të reja varësisht prej aktualitetit dhe nevojës së shoqërive.

Asnjë koment

Comments are closed.