20-04-2024

Dragashi dhe Mamusha, përfituese të projekteve nga Ambasada e Japonisë

Dy projekte në vlerë prej 140 mijë euro, të cilat përfshijnë projektin për sigurimin e deponimit të mbeturinave në Restelicë të Dragashit dhe sigurimin e një radiografie në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Mamushë, u nënshkruan sot përmes një ceremonie nga Ambasada e Japonisë dhe kryetarët e këtyre dy komunave.

Foto – Kosovapress

Ambasadori japonez në Kosovë, Keisuke Yamanaka tha se përmes këtij projekti, Komuna e Dragashit do të përkrahet për ndërtimin e Deponimit të Mbeturinave dhe vendosjen e kontenjerëve për grumbullimin e mbeturinave në fshatin Restelicë.

Ai shtoi se ky projekt do të përmirësojë shërbimin e grumbullimit të plehrave dhe do të kontribuojë për ta bërë qytetin më të pastër dhe më komod për të jetuar banorët e kësaj zone.

Yamanaka shtoi se me këtë projekt do të përfitojnë rreth 4700 banorë që jetojnë në këtë fshat.

Ai potencoi se me nënshkrimin e këtij projketi, qytetarët e Mamushës nuk do të kenë nevojë më të udhëtojnë nëpër komuna të tjera për ta bërë radiografinë, ngase QKMF-ja do të pajiset me një aparat të tillë në kuadër të Grantit Ndihmës Japonez për Projektet e Sigurisë Bazike Njerëzore për vitin 2023.

Nga ky projekt për sigurimin e pajisjes me rreze X, pritet që të përfitojnë afro 1500 pacientë në vit.

Kryetari i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini derisa falenderoi ambasadorin e Japonisë në Kosovë për këtë donacion, tha se kjo iniciativë nuk paraqet vetëm mbështetje financiare për këtë komunë, por është edhe një eksperiencë profesionale për të aplikuar praktikat më të mira të popullit japonez.

Xheladini potencoi se kjo mbështetje nga Japonia nuk është e para për Dragashin, për çka përmendi se para pak kohësh, kanë pranuar katër kamionë e mjete të tjera për bartjen e mbeturinave.

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Mamushës, Abdulhadi Krasniç tha se ky është nënshkrimi i projektit të parë mbështetës me Ambasadën e Japonisë, për çka shtoi se pret edhe përkrahje të tjera në fushën e arsimit, shëndetësisë e bujqësisë.

Ai shtoi se është kënaqësi që përmes këtij donacioni të kenë mundësinë të njoftohen për nga afër me disiplinën dhe kulturën e njerëzve nga Japonia./Kp

Asnjë koment

Comments are closed.