19-04-2024

Drejtorët e shkollave në Prizren, në LDK shtohen zërat për dalje nga koalicioni

Siç po shihet, konkursi për zgjedhjen e drejtorëve dhe zv.drejtorëve të shkollave të Prizrenit do të jetë sfida e radhës ndoshta edhe e fundit e koalicionit aktual qeverisës së Komunës së Prizrenit.

Kjo, për arsyen se partneri i koalicionit, LDK është e pakënaqur në lidhje me emrat të cilët janë propozuar për drejtor të shkollave. Sipas drejtorit të drejtorisë së Urbanizmit i cili vjen nga rradhët e LDK-së, z.Fatmir Memaj, Nisma e Prizrenit ka arrit që shumicën absolute të emrave të propozuar ti nominojë militantët apo aktivistët e vet.

Sipas tij, në rast se kryetari i Komunës, z. Mytaher Haskuka nuk e anulon konkursin, ateherë ai është i gatshëm që në koordinim edhe me organet e partisë së tij të prishin koalicionin aktual qeverisës.

Ndërsa, kryetari i degës së LDK-së në Prizren njëkohësisht deputet i kësaj partie në Kuvendin e Kosovës z.Haxhi Avdyli, në një reagim në profilin zyrtar të tij ka thënë: “Pas shpalljes së emrave për drejtor të shkollave të Prizrenit por jo vetëm ky rast, po e imponojnë nevojën e diskutimit së pari brenda degës së LDK-së ,nëse eksperimenti i parë në Kosovë i bashkëqeverisjes VV- LDK-Nisma të vazhdojë apo të përfundoi.

Kështu, z.Avdyli ka lënë të nënkuptohet që shumë shpejtë mund të pritet edhe dalja e LDK-së nga koalicioni.

Po ashtu, të shumta kanë qenë edhe reagimet e simpatizantëve të LDK-së që kanë bërë thirrje që sa më parë të dilet nga koalicioni aktual pasiqë kështu vetem dy partnerët tjerë të koalicionit VV dhe Nisma janë duke perfituar, ndërsa LDK-ja ishte ajo e cila i solli në pushtet të dyja këto parti.
Mbetet të shihet ditëve në vijim se cilat do të jenë hapat që do t’i ndërmarrë LDK në lidhje me situatën e re politike të krijuar gjatë kësaj jave.(scanerpress)

Asnjë koment

Comments are closed.