23-11-2024

Duda Balje: Në Kosovë ndihemi si në shtëpinë tonë

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e boshnjakëve, Rasim Demiri në ditën ndërkombëtare të këtij komuniteti ka kërkuar që Kosova dhe Bosnja të bashkëpunojnë dhe të zhvillojnë marrëdhëniet bilaterale për një jetë më të mirë të qytetarëve të dy vendeve.

Kryetari i koalicionit VAKAT, në seancën e sotme solemne tha se data 28 shtator është e rëndësishme për shkak se boshnjakët kanë ruajtur identitetin, traditën dhe kulturën e tyre.

“Boshnjakët e Kosovës me nderë e kanë ruajtur identitetin e vet, dhe sot me xhelozi e ruajnë sepse është privilegj t’i përkasësh një populli i cili nuk ka asnjë njollë në historinë e vet. Kjo datë është definitivisht data më e rëndësishme e boshnjakëve kudo që ata jetojnë. Kemi jetuar në këto troje me shekuj mbrapa duke respektuar të huajin dhe të ndershmen nga ne, kemi luftuar për të mirën e atdheut tonë duke sjellë në perfeksion jetesën në mes të Lindjes dhe Perëndimit”, tha ai.

Ndërkaq, deputetja Duda Balje tha se si komunitete të barabarata duan të ndërtojnë një Kosovë.

“Gjithmonë kemi qenë miq, ky është shteti jonë, ne edhe para luftës, gjatë luftës dhe pas luftës kemi qenë këtu. Ne shtet tjetër nuk kemi, këtu ndihemi si në shtëpinë tonë, këtu i rrisim fëmijët tanë. Në ditën e sotme, unë nuk do të flas se kush janë boshnjakët, sepse jam absolutisht e bindur se në Kosovë nuk ekziston njeri që nuk e di se kush janë boshnjakët dhe cila është rëndësia e boshnjakëve në këtë shtet”, tha ajo.

“Dëshiroj që të jetojmë së bashku ashtu siç kemi jetuar deri më sot, që të kemi mbështetjen tuaj, si shumicë që jeni këtu. Dua që të jemi të barabartë, që së bashku ta ndërtojmë Kosovën, ashtu siç duhet ajo të jetë, që të jemi shembull për shtetet e tjera ashtu siç jemi edhe sot. Dua që ne të jemi të fortë, që juve t’ju bëjmë më të fortë, si dhe shtetin tonë ta bëjmë më të fortë”, tha Balje.

Asnjë koment

Comments are closed.