Dy rastet e fundit me koronavirus në Suharekë u infektuan në hemodializën e Prizrenit
Në 35 ka shkuar numri i të infektuarve në Komunën e Suharekës.
Dy personat e fundit të cilët kanë dal pozitivë me COVID-19 janë infektuar në repartin e hemodializës në Prizren, transmeton KOHA.
Andaj, familjarët e tyre kanë shkuar të bëjnë analizat në QKMF, si të dyshuar me këtë virus.
Drejtori i QKMF-së në Suharekë, Salih Bytyçi, thotë se pas kësaj ata do të izolohen nëpër shtëpitë e tyre.
Në këtë komunë janë edhe 33 persona të cilët trajtohen për hemodializë në spitalin e Prizren dhe tashmë 4 prej tyre janë testuar.
Fillimisht, në këtë komunë ishte i izoluar vetëm një fshat, por me shtimin e numrit të të infektuarve e gjithë komuna është futur në karantinë.
Kryetari i komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, thotë se do të kërkojnë dalje nga karantina, pasi situata në komunën që ai e drejton është e menaxhueshme.
Nga koronavirusi në Suharekë janë shëruar 4 persona përderisa një ka vdekur.