22-11-2024

Dyshohen për dhunë ndaj një qytetari në Suharekë, IPK rekomandon suspendimin e dy zyrtarëve policorë

Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht Departamenti i Hetimeve ka rekomanduar suspendimin nga puna e dy zyrtarëve policorë në Suharekë, shkruan Sinjali.

IPK thotë se ka pranuar dje një informacion nga Policia në Suharekë lidhur me një ankesë nga një qytetar i cili ankohej për tejkalim të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës nga dy zyrtarë policorë.

Ngjarja ka ndodhur dje në orët e mbrëmjes kur policia kishin reaguar në një incident në Suharekë.

Pas konsultimeve fillestare me prokurorin kompetent, hetuesit e IPK-së janë angazhuar duke ndërmarrë veprime konkrete hetimore dhe duke dalë në vendin e ngjarjes për të vërtetuar ankesën e qytetarit.

Përderisa hetimi është duke vazhduar ndaj dy zyrtarëve policorë, IPK bazuar në autorizimet ligjore i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e tyre me dyshimin për tejkalim të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës.

Gjithashtu hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore lidhur me këtë rast për të sqaruar rrethanat e këtij incidenti.

Asnjë koment

Comments are closed.