30-09-2025

Editorial: Anashkalimi i profesorëve të Hasit nga pozitat udhëheqëse në qeverisjen e Totajt

Kanë shumë profesorë të kualifikuar, madje edhe femra, pastaj dy paralele të gjimnazit, në Gjonaj e Romajë dhe një numër të madh nxënësish, të cilët veçohen për edukatë në shkollat e mesme të Prizrenit, si në gjimnaze, Mjekësi, Ekonomi, Shkollën Teknike, Kompetencë dhe Muzikë, por janë të anashkaluar sa i përket përfaqësimit në udhëheqje.

A është kjo padrejtësi për kuadrin arsimor të Hasit?!

Rajoni i Hasit, një nga më të mëdhenjtë dhe me traditë të pasur arsimore në Prizren e vend, por mbetet i anashkaluar në përfaqësimin institucional gjatë qeverisje së Shaqir Totajt?

A nuk është paradoksale që as në dy gjimnazet dhe shkollën ekonomike, pjesë e të cilave janë paralelet në Gjonaj e Romaj, të mos ketë asnjë drejtues hasjan, ndonëse në këto institucione punojnë kuadro të kualifikuara, madje edhe trajnerë të Kurrikulës?

A s’është ky paradoks, ku dështimi për të emëruar njerëz të kualifikuar në pozita të tilla nuk është vetëm një mungesë drejtësie, por një pengesë për përmirësimin e sistemit arsimor? Kjo situatë ngre pyetje serioze: Po ku janë ata që e meritojnë?  Pse po shpërfillet përkushtimi dhe kontributi i tyre?

Ky fenomen nuk është vetëm një padrejtësi ndaj individëve të kualifikuar, por është një dëm i madh për sistemin arsimor të Prizrenit. Kjo ndikon në demotivim tek ata që kanë treguar angazhim dhe pasion për arsimin.

Si shpjegohet kjo situatë në kontrast me periudhën e ish-kryetarit Ramadan Muja, kur së paku kishte një zv/drejtor,  Beqir Letajn në gjimnazin “Gjon Buzuku”, i cili botoi edhe një monografi të rëndësishme për këtë tempull të diturisë, ndër më përfaqësuesin e shkollimit të mesëm?

A duhet marrë parasysh parasysh tradita e thellë dhe e pasur arsimore që ka rajoni Hasit, i cili ka dhënë figura të shquara në historinë e arsimit dhe kulturës shqiptare? Do kujtuar kontributi i hasjanëve si Pali i Hasit, Andrea dhe Pjetër Bogdani, Pjetër Mazreku, Dervish Salihu, Anton Pashku dhe të tjerëve, që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në zhvillimin arsimor dhe kulturor?

Përse kjo trashëgimi e pasur dhe e jashtëzakonshme nuk po pasqyrohet në strukturat udhëheqëse të  Prizrenit?

Në vend se Totaj, nga pozita e kryetarit, të angazhohej për pavarësimin e njërit prej gjimnazeve në Has, ai e ka injoruar plotësisht kontributin dhe rëndësinë e kuadrove të tyre.

Totaj nuk mund të deklarohet se nuk është përzier në këtë punë, sepse kur ishte çështja e djalit dhe resë së tij, ata u punësuan në vitet e para të mandatit.

Totaj i ka ftuar tash mësimdhënësit në tubime zgjedhore, kur atij i duhet vota, por kuadrot nga Hasi dhe të tjerë, duhet ta pyesin veten: A janë kontaktuar ndonjëherë nga autoritetet arsimore? Si janë pritur në zyrat përkatëse, dhe a ua kanë hapur ndonjëherë telefonin para fushatës zgjedhore? / Gazeta e Prizrenit /

Lexo edhe:

Shaqir Totaj – kryetari i Prizrenit që punësoi më së shumti familjarë

Asnjë koment

Comments are closed.