02-12-2024

Emrat në listë, prezantuesit më t’mirë të Partisë dhe kandidatit të tyre për Kryeministër

Shkruan: Elez Morina

Lista me 110 kandidatë për deputet, prezantuesja më e mirë që tregon vlerat e një partie politike gjatë fushatës së Zgjedhjeve Qendrore në Kosovë.

110 kandidatët që do të garojnë për deputetë, do të jenë treguesit më të mirë reformativ të një subjekti politik dhe të kandidatit të saj për Kryeministër në zgjedhjet e 6 tetorit të këtij viti.

Të gjithë ata që kanë fituar besimin brenda partisë, do të dalin publikisht para qytetarëve për ta promovuar vetëvetën e tyre. Mirëpo, votuesit do të duhej të analizojnë mirë kandidatët për deputetë të cilët kërkojnë votë, sepse gjatë zgjedhjeve të kaluara kemi pasur brenda listave njerëz të cilët thirren për vlera lufte, e jo për vlera profesionale, njerëz që kanë shfrytëzuar pozitat zyrtare për bizneset e tyre private, njerëz që udhëheqin mediume televizive duke manipuluar me buxhetin e shtetit dhe njerëz që ishin në ulësen e Kuvendit n’krah të familjarëve që nuk jetojnë më.

Kosova ka njerëz profesionistë të fushave të ndryshme që do duhej të jenë brenda listave të një subjekti, e jo të kemi kandidatë, të cilët kanë bllokuar ulëset e Kuvendit më shumë se 10 vite, vetëm e vetëm për ta arritur cakun e pasurisë së tyre materiale.

Tashmë jemi në pritje të emrave zyrtar, të cilët janë të përzgjedhur nga kryesia e partisë, që përmes tyre pretendojnë të jenë fitues të zgjedhjeve. Pra, kandidatët që përfaqësojnë listën e një subjekti politik do duhej të jenë emra të rinj/profesionistë dhe emra që kanë treguar vetën në t’kaluaren në shërbim të popullit, e jo të jenë t’përzgjedhur përsëri ata që kanë zhgënjyer atë.

P.S.
Shkrimet e opinioneve janë shprehje e mendimit të lirë, dhe jo domosdoshmërisht përfaqësojnë edhe qëndrimin e portalit “GazetaePrizrenit.net”.

Asnjë koment

Comments are closed.