Eneda Tarifa shihet si fituese e Këngës Magjike, por merr edhe kritika

Eneda Tarifa, pas mbrëmjes së dytë të Këngës Magjike, shihet si favoritja kryesore për të fituar këtë festival.

Kënga e saj është pëlqyer së tepërmi në rrjetet sociale nga fansat, por edhe nga kolegët e saj, që e konsiderojnë para kohe atë fituese.

Nata finale e këtij festivali do të zhvillohet sonte në mbrëmje.

Eneda Tarifa me këngën “Ma zgjat dorën”, trajton një tematikë që lidhej edhe me momentet dramatike që kaloi vendi ynë, ku mbi motive dashurie nga dikush kërkohet ndihma e tjetrit, në një moment të vështirë.

Këngën ajo e ka realizuar në bashkëpunim me Flori Mumajesin, fitues i edicionit të kaluar të Këngës Magjike.

Pikërisht për këtë arsye, ndonëse ka pasur përkrahje të mjaftueshme, Eneda ka marrë edhe ndonjë sulm, madje të ashpër, teksa i vihen në diskutim aftësitë e saj.

E ndërsa Eneda Tarifa kërkonte mbështetjen e publikut në Instagram, kishte edhe nga ata që e kritikuan.

“Ty të desht vetëm tërmeti të bjerë e të votojn të gjithë ty prej këngës. Unë bëj këngë që kanë lidhje me realitetin, plus i herë s’është projekti jot, ti veç këndon aty asgjë tjetër s’është e jotja. Ti je komercialiste e dashun”, i ka shkruar një fanse, që duket se mund të jetë edhe ndonjë e afërme e ndonjë prej konkurrenteve të tjera ose ndonjë rivale e saj.

Megjithatë, nuk mund të vihen në dyshim aftësitë dhe zëri i Eneda Tarifës. Ajo pas performancës ka tërhequr vëmendje të konsiderueshme në rrjetet sociale, dhe shihet si favoritja kryesore e festivalit.

Pjesë e jurisë këtë vit janë Enkel Demi, Arben Skënderi, Armend Rexhepagiç, Jonida Maliqi, Dj Missrose dhe Dj Stone.

Ky edicion i festivalit “Kënga Magjike” është realizuar nën moton “Këndoj për të ndërtuar”, pasi të ardhurat e biletave për tri netët finale të festivalit, do të shkojnë për rindërtimin e shtëpisë të një familje të prekur nga tërmetet e fundit./noa.al/ GazetaePrizrenit.net