24-11-2024

Enveri i shkruan Ramiz Alisë: Çabej të mos dalë më jashtë shtetit, e ka tepruar…

Ishin nga i njëjti qytet dhe bashkëmoshatarë. Kishin studiuar në të njëtën shkollë në vëndlindjen e tyre në Gjirokastër dhë më pas u ndanë për t’u ritakuar pas disa dekadash, por në pozicione krejt të ndryshme; Eqerem Çabej si profesor i gjuhës shqipe, ndërsa Enver Hoxha si politikan dhe kreu i Shtetit shqiptar. Por veç kësaj, ata ndryshonin edhe në formimin e tyre shkollor dhe intelektual, pasi Çabej ishte diplomuar në shkollat dhe universitet e Gracit e Vjenës në Austri, kurse Enveri nuk kishte mundur të merrte dot një diplomë, madje kishte ndjekur leksione vetëm per gjashtë muaj në Montpelije të Francës dhe nga që nuk kishte mundur të shlyente dot asnjë provim, e kishin përjashtuar nga universiteti.

Kështu pas vitit 1944, ata vazhduan në rrugët dhe drejtimet që u kishte sjellë jeta apo rastësia….?! Madje duke shkëlqyer dhe spikatur të dy, njëri në shkencat albanologjike dhe tjetri si politikan…?! Por ndërsa Enveri rrekej të merrej dhe me shkrime…, Çabej kurrë nuk pati asnjë ambicje për t’u bërë politikan. Që në vitin 1942 kishte refuzuar të merrte portofolin e ministrit të Arsimit dhe pas 1944-ës, nuk pranoi as të behej deputet apo të merrte ndonjë post tjetër si mjaft prej kolegeve të tij që vinin nga universitetet e Perëndimit.

Por Enveri, hera herës e thërriste shokun e vjetër për të “debatuar” për çështjet e gjuhësisë dhe albanologjisë, pasi e ndjente se i mungonte “kostumi” i akademikut. Për miqësinë e “madhe” midis Enverit dhe Çabejt, ka shkruar gjatë dhe Nexhmije Hoxha në një nga librat e saj me kujtime (“Jeta ime me Enverin”), ku ajo veç të tjerash përmënd edhe të gjitha nderet që bashkëshorti i saj, i ka bërë profesorit të nderuar, duke e nxjerrë disa herë jashtë shtetit për kurime, madje deri udhëtimin e tij të fundit në Romë, prej nga ku ai nuk u kthye më në këtë jetë…?!

Por ndryshe nga sa shkruan Nexhmije Hoxha, flasin disa dokumente arkivore që datojnë në vitin e largët 1969, ku Enveri nuk ka lejuar që Çabej të shkonte në Austri për të dhënë leksione pas një sërë ftesash që atij i vinin nga koleget e tij, akademikë me famë botërore. Pra, këto dokumente që shikojnë dritën ebotimit për herë të parë, tregojnë më së miri, “miqësinë e tyre të ngushtë” dhe sa shumë e ka dashur e respektuar Enveri profesorin e shquar, Eqerem Çabej…?!

INSTITUTI PER GJUHESI TE PERGJITHSHME DHE INDOEUROPIANE

NE UNIVERSITETIN E VJENES Vjenë më 7.11.1969

Dr. Karl Lueger-Ring !

Zotit Profesor Eqerem Çabej

Rruga Qemal Stafa 395/12

Tiranë Shqiperi gjatë semestrit të verës 1970 si profesor mysafir.

Shumë i nderuar zoti koleg Çabej

Instituti për Gjuhësi të Krahasuar të Universitetit të Vjenës dëshiron me këtë të përsërit në mënyrë urgjente ftesën e tij që të jepni leksione si profesor mysafir për gjuhësi shqiptare në Institutin tonë. Kjo veprimtari do të ishte një pasurim shumë esencial i formimit tonë linguistik, meqënë se ne në mungesë të një fuqie profesorale të përshtatëshme, prej shumë kohësh nuk kemi mundur të kultivojmë shqipen në mënyrë të mjaftueshme, aq sa me rëndësi të ishte që një albanolog me famë botërore të jepte leksione në atë semestër në universitetin tonë.

Une i referohem në këtë mes veçanërisht edhe një urdhërese të Ministrisë së Arsimit Federal të (Austrisë) rreshti 128.389. 1.4.1969, me datën 11 tetor 1969 në lidhje me bashkëpunimin kultuaral dhe shkencor me Shqipërinë. Sipas kësaj urdhrese, në bazë të marrëveshjes kulturale me vëndin tuaj dhe me dëshirë të Shqipërisë, ekziston interesimi i veçantë për të shkëmbyer shkencëtarë të disa fushave të albanistikës, mbi bazën e reciproritetit. Do të ishte prandaj veçanërisht e dëshirueshme, që ju të pranoni ftesën tonë për seminarin e verës.

Me shprehjen e respektit kolegial.

Mbetem i juaji me shumë nderime

Prof. i Iniv. Dr. Manfred Mayrofer

Presidenti i Institutit për Gjuhësi të Përgjithshme Indoeuropiane.

INFORMACION

Sot në aparatin e Komitetit Qëndror, u paraqit prof. Eqerem Çabej për t’iu referuar shokut Enver, çështjen se në pranverë të këtij viti rektoratit të Universitetit Shtetëror të Tiranës i ka ardhur një ftesë nga Universiteti i Vjenës, me anë të së cilës Eqeremi ftohet të japë leksione për gjuhën shqipe gjatë semestrit të verës në vitin 1970. Për këtë ftesë Universiteti i Vjenës ka njoftuar personalisht Eqeremin.

Kohët e fundit, e njëjta ftesë qenka përsëritur. (Ftesën dhe kopjen e saj i paraqiti në aparat).

Ai thotë se nuk ka dijeni se çfarë është bërë për këtë çështje nga rektorati i Universitetit, se problemi është urgjent, mbasi përgjigjija kërkohet deri në fund të muajit nëndor. Në qoftë se ftesa duhet refuzuar, theksoi ai, është dakort të japë përgjigjije negative, por shtoi se vajtja atje për të dhënë leksione në gjuhën shqipe, është në të mirën e Atdheut. Eqeremi shprehu dëshirën që të takohet edhe vetë me shokun Enver.

22.11.1969. Njoftova sh. Shpresa Kroi për këtë çështje

(Shënim i Enver Hoxhës)

Shokut Ramiz

Ky po e tepron me daljen jashtë. Dhe sot e po më shkruan mua. Unë mendoj se mund të dërgohet ndonjë tjetër më i ri dhe i zoti. Jo ngahera ky se s’ka kuptim.

Enver

Telegram i Eqerem Çabejt (Kartela)

Ju lutemi më jepni një takim të shkurtër me shokun Enver për një punë shumë urgjente. Eqerem Çabej. Rruga Qemal Stafa 395/12

Shokut Ramiz

INFORMACION

Pas porosisë së shokut Enver dhënë shokut Ramiz para disa ditësh që të shihej mundësia e dërgimit në Vjenë të ndonjë pedagogu te ri, i cili të jetë i aftë për të dhënë leksionet e gjuhës shqipe, Eqerem Çabej u interesua që të dinte përfundimin e kërkesës që i drejtoi shokut Enver.

Shoku Ramiz na porositi që kur të vinte Eqeremi, t’i thonte se kërkesën e tij shoku Enver ja ka dërguar organeve shtetërore kompetente dhe se ai do të marrë përgjigjjen nga Rektorati i Universitetit.

Eqeremi i dërgoi dje telegramin bashkëngjitur shokut Enver me kërkesën për t’i akorduar një takim të shkurtër për një punë me shumë urgjencë. Siç duket ay nuk është i kënaqur që në Vjenë të dërgohet një kuadër tjetër i ri dhe jo ai.

10.12.1969

Shënimi i Enver Hoxhës:

Ramizit ja rekomandova këtë çështje që të mos më hynte “nga penxherja”, le ta zgjidhë vetë Ramizi me të.

Enver

Bisedova vetë me shokëun Androkli Kostallari dhe Eqerem Çabej

Ramiz

12.9.1969

Kujtimet e Nexhmijes në librin “Jeta ime me Enverin”

Nexhmija: “Enveri ka bërë të pamundurën për Prof. Çabejn”

“Prof. Eqerem Çabej dhe Enver Hoxha, pa diskutim janë dy bijtë më të shquar që lindi Gjirokastra në fillimet e shekullit të 20-të dhe i ka vënë ata në panteonin e bijve të vet më të nderuar, që nga Rilindasit dhe deri te ata që luftuan për Pavarësinë e Shqipërisë nga zgjedha pesëshekullore otomane si dhe ata që luftuan për çlirimin e atdheut nga pushtuesit e rinj, nazifashistët italo-gjermanë. Dy djemtë vërsnikë të Gjirokastrës, si atdhetarë të mëdhenj shqiptarë, njëri si politikan tjetri si dijetar, janë jo vetëm krenaria e popullit të kësaj ane, por edhe e gjithë Shqipërisë dhe e kombit shqiptar, për çka ata u dhanë këtyre.

Shteti shqiptar heshti dhe i injoroi këto dy ngjarje të shënuara, këto dy personalitete të shquara në realitetin politik dhe kulturor të vendit, siç qenë Enver Hoxha dhe prof. Eqerem Çabej, por shokët, kolegët, miqtë e tyre, si në Gjirokastër, si në Tiranë, në Shqipëri, në Kosovë e kudo ku jetojnë shqiptarë, i përkujtuan dhe i nderuan denjësisht për luftën e punën gjysmë shekullore që bënë, njëri në rrugën e lirisë dhe të pavarësisë, tjetri në rrugën e dijes dhe të shkencës.

Po kështu edhe nëpër botë, ku ka dashamirës të Shqipërisë dhe të Enverit, nga një anë, si dhe nga një palë tjetër, bashkëpunëtorë dhe admirues, albanologë të shkencëtarit tonë, prof. Eqerem Çabejt, u organizuan mbledhje e u shkruan artikuj. Në gjithë këto veprimtari një angazhim total pati secili nga ana e familjes së vet. Ndonëse Enveri dhe Çabej nuk shiheshin shpesh, secili i dhënë pas punës, disa herë iu drejtuan njëri-tjetrit dhe komunikuan vazhdimisht si miq. Kur filloi puna për botimin e veprave të Enverit, redaksia ra në hall, pasi, për shembull, në shkrimet e dy vëllimeve të para, që i përkisnin periudhës së luftës, Enveri ka përzier dy dialektet, duke e bërë këtë me vetëdije, me qëllim që të theksonte se shkrimi, trakti, thirrja për luftë e liri i drejtohej gjithë popullit në Jug e në Veri.

Kur ia thamë këtë preokupim Enverit, si autor që ishte, ai nuk u nxitua të përgjigjej, por iu drejtua Çabejt, të cilit ia pozoi problemin dhe e pyeste: “Si thua duhet t’i unifikojmë?”.

“Jo iu përgjigj shkencëtari, shkrimet të ruajnë origjinalitetin e kohës kur janë krijuar…”.

Më pas erdhi radha e veprave të mëvonshme, sidomos e kujtimeve, ku Enveri nuk ndalej në të shkruar dhe, ndërsa nxitonte për t’i hedhur në letër, nuk kursehej por përdorte shumë fjalë dhe shprehje nga gjitha frënge. I sugjeruam Enverit t’i përkthenim disa prej tyre në shqip. Përsëri na tha: “Do të marr mendimin e Çabejt…!”.

Dhe gjuhëtari i shquar i gjuhës shqipe i tha Enverit: “Jo, nuk është nevoja, është më mirë që të ruhet koloriti i gjuhës suaj në të folur dhe në të shkruar, aq më shumë kur është fjala për shkrime të karakterit personal, si kujtimet, ditaret etj”.

Kështu, kur vinte puna për të bërë ndonjë redaktim në këtë drejtim dhe nuk bindej për nevojën e tyre, Enveri na thoshte: “Unë kam leje nga Eqerem Çabej…”. Dhe me këtë na e mbyllte gojën. Kjo tregon besimin që ai kishte te miku i tij shkencëtar dhe sa e vlerësonte atë. Edhe Eqrem Çabej kishte besim në miqësinë e sinqertë të Enverit. Kur iu sëmur djali, ai iu drejtua Enverit, duke i kërkuar ta dërgonte për kontroll në Vjenë dhe ai vajti vetë pa qenë i shoqëruar nga ndonjë person tjetër, si ishte rregulli. Po kështu, kur i ndodhi fatkeqësia të sëmuret vetë, përsëri iu drejtua Enverit ta ndihmonte të shkonte për kontroll dhe kurim jashtë shtetit. Ai u dërgua më shumë se një herë në Itali, ku u operua në mushkëri.

Madje, Enveri interesohej personalisht për shëndetin e mikut të tij gjuhëtar, gjë që duket edhe në radiogramin që ai i dërgonte ambasadës sonë në Itali më datën 29 dhjetor 1979, ku thuhet: “T’i transmetohet nga ana juaj profesor Eqrem Çabejt sa më poshtë: Ju uroj nga zemra një vit të lumtur dhe të gëzuar. Ju uroj, gjithashtu shërim të shpejtë e të na kthehesh me shëndet të plotë”. Por vetëm pas 6 muajsh, kur Enveri i uronte mikut të vet shërim të shpejtë, më 1 gusht 1980 kur ne ishim në Pogradec për pushime, sekretari personal i Enverit na njoftoi se kishte marrë në telefon Eqrem Çabejn dhe kërkonte të dërgohej për të tretën herë në Itali, pasi ndjehet shumë keq nga operimi që kishte bërë në mushkëri.

Enveri, i prekur për gjendjen shëndetësore të mikut të tij, më porositi t’i telefonoj ministrit të Shëndetësisë, Llambi Ziçishtit dhe t’i thosha që ta nisnin menjëherë, megjithëse s’kishte shpresa. Enveri i trishtuar më tha: “Po humbasim një njeri me vlera të veçanta shkencore në fushën e gjuhësisë”. Më 14 gusht na mori në telefon Ramiz Alia dhe na njoftoi për vdekjen e Eqrem Çabejt. Enveri i bëri telegram Presidiumit të Akademisë së Shkencave dhe një telegram bashkëshortes së tij, Shyhretit. Po ashtu, edhe unë i bëra telegram ngushëllimi asaj. Ky lajm i hidhur e bëri Enverin të mbyllet në një heshtje të gjatë, që unë e respektova, duke menduar që ai, me siguri, po përjetonte kujtimet me mikun e tij të çmuar.

Gjatë kësaj heshtjeje, mua m’u kujtua një bisedë telefonike që bëri Enveri me Eqremin aty nga viti 1978, nëse nuk gabohem. Një natë, pas darkës me fëmijët, u ngjitëm në studio. Një ditë më parë Enveri kishte pasur një nga krizat e zemrës dhe mjekët i kishin rekomanduar të pushojë e të mos shkojë në zyrë. Këto pengesa krijonin tek ai një gjendje shpirtërore jo të mirë, nuk e duronte apatinë dhe shkëputjen nga punët që e prisnin. Edhe këtë natë ai ishte i heshtur, i menduar, i ulur në tryezën e punës, kur papritur më tha: “Do të marr në telefon Eqremin”. – “Cilin Eqrem?” – pyeta unë. – “Çabejn” – m’u përgjigj. “Mos është vonë? – vërejta unë. “Jo, -më tha,- s’është vonë për një studiues si Eqremi, që me siguri tani është duke lexuar ndonjë libër për të gjetur çfarë ka ndonjë të re në fushën e studimeve albanologjike”.

Dhe ai ngriti receptorin dhe kur linja dha sinjalin, filloi bashkëbisedimin: – “Eqrem, jam Enveri, të mora se më mori malli, të të kujtoj herë pas here… Si shkon me studimet?” Unë nuk e di ç’i thosh miku i tij në anën tjetër të telit, por po e shikoja se Enveri po përlotej, siç e kish zakon kur emocionohej. Vazhdoi t’i flasë: “Kam nevojë, mo Eqrem, të shkëmbejmë mendime edhe të evokoj kujtime me miq të vjetër… Unë, si zakonisht, kam shumë punë dhe prapë ndihem i vetmuar… të bën dhe mosha, mo Eqrem”. Unë kurrë s’e kisha dëgjuar Enverin të fliste me një gjuhë të tillë, kaq të malluar, me kaq afërsi shoqërore, deri edhe me një farë ndjenje trishtimi, ndoshta edhe sepse ato ditë ishte edhe i pamundur. Në fund Enveri i tha: “Do të dëshiroja të takoheshim. Të pres ndonjë ditë kur të kesh kohë të lirë. Mbaje numrin personal të telefonit dhe më merr kur të duash”. Por fatkeqësisht, nuk kaloi shumë kohë dhe prof. Çabej u sëmur rëndë dhe dy miqtë nuk u takuan dot më që të çmalleshin”./Memorie.al/

Asnjë koment

Comments are closed.