Epidemiologu suedez parashikon se kur do t’i kthehemi normalitetit

Anders Tegnell, shefi i Agjencisë së Shëndetit Publik në Suedi, ka tërhequr vëmendjen me mënyrën ndryshe për të përballuar pandeminë e koronavirusit.

Suedia nuk e praktikoi karantinimin, por thjesht bëri disa rekomandime për qytetarët e saj. Ajo nuk mbylli bare e restorante, as shkollat, por vendosi që të mbronte grupet më të rrezikuara duke ndjekur modelin klasik të mbrojtjes nga një pandemi.

Lexo Edhe:

Kallëzim penal ndaj Drejtorisë së Arsimit në Prizren nga një qytetare (Dokument)

Kjo strategji ka bërë që Suedia të ketë 10 herë më shumë viktima sesa fqinjët e saj, Finlanda dhe Norvegjia.

Në një intervistë për “Revista Bocas”, Tegnell parashikoi se kur do të kthehemi në normalitet.

“Nëse do të kthehemi në normalitet…”, e nisi fjalën e tij epidemiologu, para se të shtonte se një gjë e tillë do të kërkojë shumë kohë.

“Do të varet nga efikasiteti i vaksinës dhe nga fakti nëse në një kohë të shkurtër do të vaksinohen mjaftueshëm njerëz. Po flasim për një vit e gjysmë ose pak më shumë”, u shpreh Tegnell.

Në fund, epidemiologu tregoi edhe 3 këshillat bazë të Suedisë: “Mbaj distancën, shmang grumbullimet e njerëzve dhe mos tako të afërmit e moshuar. Këto janë 3 këshillat bazë që japim ne”.