Era e dr0g*ës i çon policinë te dera e të riut në Prizren – përfundon në pranga
Një rast i posedimit dhe shpërndarjes së narkotikëve është zbuluar mbrëmjen e së dielës në Prizren, pas një sinjalizimi për aromë të fortë të substancave të dyshuara në një banesë.
Ngjarja ka ndodhur më 19 prill 2026 rreth orës 21:20, në rrugën “Petrit Bytyqi”.
Siç mëson ekskluzivisht Sinjali, patrulla policore ka pranuar informacion se nga një banesë në këtë rrugë po ndihej erë e rëndë narkotikësh. Me të mbërritur në vendngjarje dhe pas trokitjes në derë, policët janë përballur me të dyshuarin M. Thaqi, ndërsa në momentin e hapjes së derës është ndier menjëherë aroma e substancave narkotike.

I dyshuari, sipas burimeve, ka pranuar para zyrtarëve policorë se posedonte narkotikë dhe në mënyrë vullnetare ka dorëzuar substancën, duke lejuar njëkohësisht edhe kontrollin e plotë të banesës së tij.

Në vendin e ngjarjes janë angazhuar njësitet relevante, përfshirë hetuesit e DHTN-së dhe krim-teknikën, ndërsa kontrolli është kryer me pëlqimin e prokurorit kujdestar dhe në prezencë të avokatit mbrojtës.
Gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar:

* rreth 56.44 gram substancë e dyshuar si marihuanë,
* një grinder,
* si dhe një pako rizlla (OCB SLIM).
I dyshuari është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit në prezencë të avokatit, ndërsa me vendim të prokurorit të krimeve të rënda është ndaluar për 48 orë, nën dyshimin për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve”.
Rasti po hetohet nga Njësia e DHTN-së në Prizren.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. /G.S
