Fierza nuk do prodhojë vetëm energji, qeverisë nxjerr një vendim të rëndësishëm
Me një vendim të veçantë të qeverisë liqeni i Fierzës në kaskadën e Drinit është shpallur hapësirë ujore me interes për peshkimin, si zonë bashkëmenaxhuese peshkimi.
Referuar pikave të këtij vendimi nënvizohet se organizata e menaxhimit të peshkimit, brenda 12 muajve, nga data e shpalljes së kësaj zone, përgatit planin e bashkëmenaxhimit për liqenin e Fierzës, i cili miratohet me urdhër të ministrit përgjegjës për peshkimin.
“Veprimtaritë dhe investimet që do të kryhen në zonën bashkëmenaxhuese të liqenit të Fierzës duhet të jenë në përputhje me legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e mjedisit dhe për zonat e mbrojtura si dhe të mbahet në konsideratë qëllimi parësor i prodhimit të energjisë elektrike. Kontrata për ushtrimin e aktivitetit të peshkimit, që do të lidhet me Organizatën e Menaxhimit të Peshkimit, dhe plani i bashkëmenaxhimit të peshkimit për këtë zonë do të marrin pëlqimin paraprak nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) sh.a”, thuhet në vendim.
Fierza është hidrocentrali i sipërm i kaskadës së lumit Drin. Për nga fuqia e instaluar, pozicioni dhe vëllimi i rezervuarit, Fierza luan rol kyç për shfrytëzimin, rregullimin dhe sigurinë e gjithë kaskadës.
Hidrocentrali i Fierzës është i tipit me digë dhe rezervuar. Diga është me mbushje gurësh dhe bërthamë argjile. Diga është 161.5m e lartë dhe 380m e gjatë, gjerësia e digës shkon nga 576m në bazamentin e saj në 13m në kreshtën e digës, shkruan ‘monitor’.
Diga e Fierzës, kur u ndërtua, ishte e dyta e këtij lloji në Europë për nga lartësia e saj. Diga ka një volum total prej 8 milion m3. Diga ka krijuar një rezervuar me një volum prej 2,7 miliardë m3 ujë dhe një sipërfaqe prej 72 km2, Liqenin e Fierzës, që është Liqeni artificial më i madh në vend. Vëllimi i dobishëm i rezervuarit është 2.3 miliardë m3.