20-04-2024

Flet asamblisti Avdaj, që hodhi shishe drejt kryesuesit të Kuvendit

Ka eskaluar sot situata në Kuvendin Komunal të Prizrenit, ku pas një tollovie të krijuar, asamblisti i PDK-së, Bardh Avdaj, ka gjuajtur me shishe të ujit në drejtim të kryesuesit të Kuvendit, Artan Abrashit.

Nëpërmjet videove të shprëndara nga mediat lokale atje, shihet moment i eskalimit të situatës. Mirëpo, i kontaktuar nga lajmi.net, Avdaj tha se e tëra ajo situatë ishte eskalim i çastit, dhe se nuk kishte të bënte me ndonjë qëllim tjetër.

I njëjti për lajmi.net tha se e drejta për replikë gjatë seancës i është mohuar pa të drejtë. Megjithatë, Avdaj thotë se ndjen keqardhje me atë se çfarë ka ndodhur.

“Gjithçka që ka qenë, ishte thjeshtë një eskalim situate, i nxitur nga kreret e Kuvendit. I kisha lutur të gjithë që ta përcjellin tërë seancën dhe aty do shihet se si e drejta ime për replikë është mohuar. Unë me profesion jam fizioterapeut dhe synimi im është të ruaj shëndetin e qytetarëve, e jo ta dëmtoj, prandaj kjo që ndodhi ishte një eskalim i situatës për të cilën ndihem keq”, ka deklaruar Avdaj.

Asnjë koment

Comments are closed.