25-04-2024

Fotografët e pasionuar të faunës

Dy prizrenas Raim Kurtaj dhe Liridon Shala (në foto majtas) janë pjesë e nismës së fotografëve kosovar të grupit Wildlife – Albanian Photographers në facebook, që ka për qëllim njohjen e botës shtazore (faunës), dhe identifikimin e specieve të reja, shkruan gazetaeprizrenit.net.

Me anë të publikimit të fotografive, po ashtu synohet edhe rritja e ndërgjegjësimi për mbrojtjen e kafshëve të egra.

Ata janë ndër themeluesit e grupit Wildlife-albanian photographers, i cili ka zgjuar interesim dhe tashme ka kaluar numrin prej 5 mijë anëtarësh.

Derisa Kurtaj me profesion është fotograf, Shala është farmacist, por që fotografinë, thotë se e ka hobi.

Mediet kanë raportuar jo rrallë rastet e keqtrajtimit të këtyre kafshëve dhe ky shqetësim ka nxitur krijimtarinë dhe shpirtin artistik të tre fotografeve që kanë marrë përsipër ta ndryshojnë këtë realitet.

Grupi virtual është krijuar në mars 2018, por shumë shpejt administratorët e tij vërejtën se koncepti fillestar kishte nevojë të zgjerohej, duke përfshirë në bashkëpunim edhe fotografë të tjerë shqiptarë të të gjitha trevave, qasje që filloi të afrojë pranë këtij grupi edhe studiues të botës së kafshëve të egra nga Kosova dhe Shqipëria.

Synimi i projektit ndër tjera është edhe nisma për ta përkthyer faqen iNaturalist në shqip

Grupi ka si synim publikimin e fotografive në librat shkollorë. Për këtë ata tashmë janë takuar edhe ministrin e Arsimit në Kosovë, Shyqiri Bytyqi dhe kanë marrë mbështetjen e tij, ndërsa shpresojnë që e njëjta gjë të ndodhë edhe me ministrin e Arsimit në Shqipëri.

Grupi po ashtu është i hapur dhe mirëpret bashkëpunim me ata që mund të ndihmojnë në realizimin e mundshëm të një ose disa ekspozitave në galeri të ndryshme të Kosovës,  Shqipërisë, Maqedonisë dhe më gjerë, me fotografi nga të gjitha trojet shqiptare.

Grupi Wildlife-Albanian Photographers  po ashtu synon edhe përfshirjen e fotografive në pullat postare.

(Në foton e ballinës nga e majta në të djathë janë L.Shala, R. Kurtaj dhe Arian Mavriqi, njëri nga themeluesit e grupit)

Asnjë koment

Comments are closed.