19-04-2024

Artan Abrashi, ndër politikanët me më së paku pasuri

Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Prizren, Artan Abrashi nuk mund të llogaritet në mesin e politikanëve, më të pasur,  të cilët janë pjesë e institucioneve lokale të Prizrenit, shkruan ‘gazetaeprizreni.net’.

Derisa, disa nga anëtaret e KK-së,  që tashmë kanë në pronësinë  e tyre vetura, shtëpi e troje, në vlerë deri në 1 milion euro, Abrashi në Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK)  ka deklaruar vetëm shtëpinë e përbashkët familjare, në vlerë prej 90 mijë euro.

Ai, ndërkaq si para kesh në banke ka deklaruar vetëm 300 euro. Në formularin e AKK-së, të deklaruara nuk figurojnë  troje, vetura, kursime apo edhe obligime financiare ndaj askujt.

Abrashi, që në funksionin e kryetarit të KK-së është zgjedhur me 15 janar të këtij viti, po ashtu është edhe kryetar i Qendrës së Vetëvendosjes.

Paga mujore e kryesuesit është 550 euro.

Në rastin e Abrashit, shtrohet pyetja, se a duhet në Kosovë të ketë sa më shumë politikanë të tillë, që jetojnë në nivelin e standardit të popullit,  kur dihet se një pjesë e madhe e tyre kanë shfrytëzuar politikën për t’u pasuruar,  aq sa edhe vetë nuk e kanë besuar.

Aq, më keq një numër i konsiderueshëm i tyre nuk e kanë të deklaruar pasurinë reale, pasi flitet se ata kanë banesa e prona në Shqipëri e gjetiu, si dhe troje e toka në Kosovë, të cilat për t’i humbur gjurmët i kanë në emra të familjarëve, miqve apo të ‘sekserëve’ të tyre.

Abrashi ndërkaq ka të deklaruara edhe të ardhurat mujore të bashkëshortes,  në vlerë prej 1.250 euro, nga dy burime legale.

Meqë është në fillim të punës, mbetet të shihet nëse pasuria e Abrashit do të shtohet gradualisht, nga puna e tij në mënyrë të natyrshme e legale apo do të rritet sikur në rastet e politikanëve të tjerë, të cilët pas disa vjetësh në pushtet kanë përfunduar si milioner, ndonëse me rroga kosovare. /gazetaeprizrenit.net/

Asnjë koment

Comments are closed.