24-11-2024

Gazetarët, informacione të pakta për punën e Komunës së Prizrenit

Pos ndonjë paralajmërimi eventual për aktivitetet e kryetarit të Komunës, Mytaher Haskuka, informacionet tjera rreth punës së institucionit më të lartë lokal janë të rralla, derisa gazetarët prizrenas vlerësojnë pothuajse inekzistente zyrën për informim të Komunës së Prizrenit, duke thënë se për aktivitetet kryesisht njoftohen nga facebook-u, shkruan sot “GazetaePrizrenit.net”.

Kryetari Haskuka gjatë fushatës zgjedhore ka premtuar transparencë gjatë qeverisjes së tij, por në fillim të punës mbylli për medie mbledhjet e ekzekutivit, të cilat filloi t’i mbante pa praninë e medieve. Pas kritikave nga shoqëria civile dhe mediet, ai “zbuti” vendimin, duke lejuar që gazetarët t’i përcjellin vetëm mbledhjet, në rastet e prezantimit të raportit të punës, ku zakonisht secili nga drejtorët përpiqet ta lavdëroj punën e bërë para shefit.

Megjithatë Haskuka ende nuk lejon përfaqësuesit e shtypit gjatë mbledhjes së ekzekutivit, në të cilën zakonisht “thyen shtizat” rreth përcaktimit të prioriteteve në realizimin e projekteve të komunës. Këtu po ashtu shihet edhe reagimi i partive në koalicion për t’i orientuar projektet në zonat kah elektorati i tyre.

Pos, kësaj tashmë duket se mungojnë edhe informacionet nga Komuna. “GazetaePrizrenit.net” nuk ka marrë asnjë përgjigje nga zyra për informim, për çështjet e kërkuara.

Një boshllëk në këtë drejtim përpiqet ta kryej faqja zyrtare në “facebook” e Haskukës, duke dhënë informacione të shkurtra. Por, praktikat e tilla të informacionit më tepër duken si një lloj propagande, se sa të informimit.

I pyetur rreth asaj se cilat janë format më të shpeshta përmes të cilave njoftohet për punën e komunës, Qazim Thaçi, kryeredaktor i TV Besës, thotë se fillimisht edhe pse ka pasur këmbëngulje për t’u informuar më shumë për aktivitetet e ekzekutivit, drejtorët ekzekutiv (jo të gjithë) shpesh, kanë ikur në forma të ndryshme, ose duke mos hapur telefonin, ose duke  thënë se “një ditë tjetër flasim për këtë”.

“Prandaj, informacionin shpesh jemi të detyruar  ta marrim nga faqja elektronike e tyre  (facebook), që logjikisht është formë e gabuar mendojë për njoftim, real, të saktë e të shpejtë”, thotë ai, përcjell “GazetaePrizrenit.net”.

“Më shumë informohem nga faqja zyrtare e kryetarit të komunës. Zyra për informim pothuajse është inekzistente, ndërsa edhe në cilësinë e gazetarit hulumtoj dhe njoftohem për punën e ekzekutivit komunal”, thotë Nuhi Salihu, redaktor në Tv Prizren.

Gazetari i radios në gjuhën rome “Roman Avazo, Nexhip Menekshe, ndërkaq thotë se informacionet rreth punës së Komunës, më tepër i merr nga zyrtarët e ftuar në studio si dhe nga tryezat apo takimet e mbajtura publike./GazetaePrizrenit.net/

 

Asnjë koment

Comments are closed.