21-05-2024

Gazmend Zajmi, ndër figurat më të ndritshme intelektuale shqiptare

Një personalitet si Gazmend Zajmi duhet kujtuar gjithmonë.

Zajmi lindi në qershor të vitit 1936 në Krumë të Hasit. Shkollën fillore dhe gjimnazin i kreu në Prizren, ndërsa Fakultetin Juridik dhe shkallën III të këtij fakulteti (drejtimi juridik-politik) i mbaroi në Beograd.

Mbrojti disertacionin e doktoratës më 1972 në Fakultetin e Shkencave Politike të Beogradit me tezën: Mbrojtja dhe trajtimi kushtetues-juridik i gjuhëve të pakicave kombëtare në Evropë në mes të dy luftërave botërore.

Pas kryerjes së fakultetit, tre vjet ushtroi detyrën e gjykatësit dhe të kryetarit të Gjyqit të Rrethit të Prizrenit, mandej, me themelimin e Fakultetit Juridik të Prishtinës, më 1961, u zgjodh asistent i këtij fakulteti për lëndën E drejta kushtetuese.

Që prej kësaj kohe, përjashtuar periudha e viteve 1963-1967, kur qe sekretar i Kuvendit Krahinor të Kosovës, Gazmend Zajmi punoi vazhdimisht me cilësi pedagogu në Fakultetin Juridik, kryetar i Shoqatës Krahinore të Pedagogëve Universitarë të Kosovës, prorektor dhe rektor i Universitetit të Kosovës në Prishtinë. Për rezultatet e tij në lëmin shkencor, pedagogjik dhe shoqëror – politik u dekorua me Urdhrin e Punës me Kurorë të Artë dhe me Urdhrin e Vëllazërim-Bashkimit me Kurorë të Artë.

Zajmi ishte pedagog i lëndës Sistemi politik në Fakultetin Juridik dhe i lëndës E drejta kushtetuese në Shkallën III të po këtij fakulteti. Ishte shef i Katedrës së Shkencave Shoqërore-Politike, kryetar i Shoqatës Krahinore të Politikologëve, anëtar i Kryesisë së Lidhjes së Shoqatave të Shkencave Politike të Jugosllavisë, anëtar i Këshillit Ekzekutiv të Shoqatës të së Drejtës Komparative të Jugosllavisë, anëtar i Pleqësisë Federative Juridike, kryetar i Bashkësisë së Universiteteve të Jugosllavisë, anëtar i Komitetit të Përhershëm të Konferencës së Rektorëve të Evropës etj. Ishte në detyrën e këshilltarit shkencor në Institutin për Kërkime Juridike të Fakultetit Juridik të Prishtinës.

Gazmend Zajmi dhe Shaqir Hoti, Burimi: Oral History Kosovo

Gazmend Zajmi ka rreth 30 punime shkencore, nga të cilat katër me karakter monorafik, si dhe është koautor i librit universitar të Universitetit të Beogradit Društveno-politički sistem Jugoslavije. Në këto punime kryesisht trajtohet problematika e pakicave kombëtare, e aspekteve sociopolitike të pozitës së gjuhëve dhe e autonomisë dhe federalizmit. Në këtë fushë është autor i një varg eseve politike, si dhe njëherësh është autor i tre librave komponimesh dhe i dy librave vargjesh në fushën e krijimtarisë muzikore dhe të poezisë. Mori pjesë në një varg simpoziumesh shkencore të vendit dhe ndërkombëtare, si dhe qe anëtar i Redaksisë së Enciklopedisë Politike në Beograd.

Teksti dhe muzika: Gazmend Zajmi

Një karakteristikë që e përben z.Zajmi është se ai ka qenë edhe anëtar i “Shoqërisë Kulturore Agimi” e themeluar në nëntor të vitit 1944 në qytetin e Prizrenit. Ai kishte marrë pjesë në Grupin e Muzikës Zbavitëse si udhëheq i dalluar së bashku me mikun e tij Petrit Nushin. Ku u vlerësohet ndër konbtribuesi më të madh për Shoqërinë Kulturore Agim dhe ishte bërë i njohur në kulturën arstike mbarë shqiptare, shkruan KultPlus.

Këngë e shkruar dhe kompozuar nga akademik Gazmend Zajmi

Vdiq më 10 mars të vitit 1995 në Zagreb. / KultPlus.com/ GazetaePrizrenit.net

Asnjë koment

Comments are closed.