02-11-2024

Gjashtë kompani përgjegjëse për trajtimin e qenve endacakë, në rajonin e Prizrenit

 

Aksionit për trajtimin e qenve endacakë, këtë javë i është bashkuar edhe një kompani tjetër private, si njëra prej gjashtë kompanive përgjegjëse në rajonin e Prizrenit.

Në njoftimin e komunës, thuhet se kompania aksionin e saj e ka nisur në lagjen Arbana. Qëllimi i këtij aksioni është kapja, trajtimi dhe më pas lëshimi i qenve endacakë, në po të njëjtin vend. “Të gjithë qentë të cilët janë kapur, u është ofruar shërbimi mjekësor për përmirësimin e gjendjes së tyre shëndetësore”, thuhet në njoftim.

Kjo kompani parasheh t’i trajtojë rreth 700 qenë endacakë, ndërsa pas rishikimit të buxhetit nga ana e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, ky numër pritet të jetë edhe më madh.

“Projekti i trajtimit të qenve endacakë është projekt afatgjatë dhe ka për qëllim kujdesin mjekësor dhe mbajtjen nën kontroll të shtimit të tyre, duke shërbyer në dobi të qytetarëve por edhe vetë këtyre qenve”, përfundon njoftimi.

 

Asnjë koment

Comments are closed.