19-04-2024

Gjashtë muaj burg të akuzuarit që pranoi fajësinë se vodhi një laptop në Rahovec

Gjykata Themelore në Gjakovë, dega në Rahovec, e ka dënuar me gjashtë muaj burgim efektiv të akuzuarin për vjedhje të rëndë, Sebastian Hamza.

Aktgjykimi ndaj tij është shpallur nga gjykatësi Mizahir Shabani, pasi që paraprakisht i akuzuari e ka pranuar fajësinë për akuzën me të cilën ngarkohet, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ai ka kërkuar nga gjykata që me rastin e caktimit të dënimit të ketë parasysh se është i gjendjes së dobët ekonomike, mbajtës i familjes, ashtu që t’i shqiptojë një dëmin sa më të butë, duke thënë laptopi i është kthyer të dëmtuarit.

Pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit nuk e ka kundërshtuar prokurorja Dëshire Jusaj, sipas së cilës, pranimi i fajësisë është bërë në mënyrë vullnetare dhe ka mbështetje në provat që gjenden në shkresat e lëndës.

I akuzuari është obliguar t’i paguajë shpenzimet procedurale në shumën prej 30 euro.

Gjykatësi Shabani, ka deklaruar se kundër këtij aktgjykimi palët kanë të drejtë ankese në afat prej 15 ditësh, nga dita e pranimit të aktgjykimit me shkrim.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Gjakovë ka ngritur aktakuzë më 26 janar 2018, ndaj Sebastian Hamza, duke e ngarkuar atë me veprën penale “vjedhje e rëndë”.

Ai akuzohet se më 8 shkurt 2017, rreth orës 15:30-16:30, në Rahovec në rrugën “Ramiz dhe Xhevdet Krasniqi” në Rahovec, me qëllim që vetit apo tjetrit t’i sjellë përfitime të kundërligjshme merr pasurinë e të dëmtuarit Samir Bistrica.

Në aktakuzë thuhet i akuzuari në ditën kritike duke shfrytëzuar momentin e volitshëm kur askush nuk ndodhej në shtëpi, thyen xhamin e dritares së shtëpisë së të dëmtuarit dhe  nga aty merr një laptop të llojit “Toshiba”, dhe ikë nga vendi i ngjarjes. /Betimipërdrejtës

Asnjë koment

Comments are closed.