27-01-2021

Gjenden mbetje mortore në Rahovec, paralajmërohen gërmime edhe në Tusuz të Prizrenit

Janë gjetur mbetjet mortore të një personi në varrezat e komunës së Rahovecit, nga gërmimet që kanë filluar mëngjesin e sotëm nga ekipet e Mjekësisë Ligjore.

Këtë për KosovaPress e ka konfirmuar Valon Hyseni, doktor në IML, i cili është në terren aktualisht.

Ekipet tashmë kanë vazhduar për në lagjen Tusuz të Prizrenit, ku pritet të gërmohet për një pjesë të një trupi që është gjetur më herët.

Me urdhëresë të Prokurorisë për Krime Lufte, ekipet e Institutit të Mjekësisë Ligjore kanë filluar mëngjesin e sotëm gërmimet në Rahovec, për të gjetur mbetjet mortore të cilat ishin pranë varrezave civile, të varrosura nga forcat serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Trupi i gjetur është i paidentifikuar dhe do të dërgohet për analiza në institut.

Drejtori i Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu tregon detaje për KosovaPress, rreth këtij gërmimi.

“E dimë që maskimi i krimit është bërë në varrezat civile, kjo është një prej atyre rasteve, sikur e kemi pasur në varrezat myslimane në veri të Mitrovicës ku deri më tani janë gjetur mbi 73 persona që janë maskuar në varrezat civile, duke marrë parasysh që ndoshta të njëjtat mund të rihapen sepse është vend i varrezave, kjo i takon pikërisht atij llojit të veprimit”, thotë Gërxhaliu.

Gërxhaliu bën të ditur se sot do të ketë gërmime edhe në Tusuz të Prizrenit.

Aty do të gërmojnë për gjendjen e një pjesë të trupit, të një personi që është gjetur më herët.

“Pas kësaj do të shkojnë në Tusuz të Prizrenit ku kemi pasur një gjetje të një pjesë përfundimtare të këmbës dhe duhet të kontrollohet edhe ai teren se mos ka ndonjë person më tepër sesa ai që dyshohet… Në Tusuz kemi pasur një gjetje më herët për të cilën tani duhet të kontrollojmë të gjejmë pjesën tjetër të trupit apo mos ka edhe diçka tjetër”, thotë Gërxhaliu.

Me këto dy lokacione përfundojnë gërmimet për sivjet, meqë kushtet atmosferike tashmë përbëjnë vështirësi në punën e gërmimeve në teren.

Në pranverë pritet të vazhdojnë gërmimet në Kizhevak dhe Shtaval të Serbisë.

Asnjë koment

Comments are closed.