22-11-2024

Gjykata e Apelit shqyrton ankesat për sulmin ndaj Konsullatës turke në Prizren

Ankesa e Prokurorisë Themelore në Prizren si dhe ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve për sulmin ndaj Konsullatës Turke në Prizren, të ushtruara kundër aktgjykimit të gjykatës së shkallës së parë, ishin objekt shqyrtimi në seancën e së martës në Gjykatën e Apelit.

Gjykata Themelore në Prizren, në nëntor të vitit të kaluar,  Ilirjan, Egzon, Bledjan, Edon Saramatin, si dhe Bjeshkan Badallajn, i kishte shpallur fajtorë për veprën penale të shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm.

Për këtë vepër, secilit të akuzuarit, gjykata e shkallës së parë u kishte shqiptuar nga një vit burgim efektiv.

Të akuzuarve, brenda dënimit prej një viti burgim, siç kishte vendosur gjykata, do t’u llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak prej 28 nëntorit 2016, deri më 27 gusht 2017.

Po ashtu, shkalla e parë kishte vendosur që të konfiskohet vetura me të cilën të akuzuarit kanë kryer veprën penale dhe secilin prej të akuzuarve i ka ngarkuar me shpenzimet procedurale prej 200 euro.

Kurse, të gjithë të akuzuarit ishin liruar nga akuzat për rrezikim të personave nën mbrojtje ndërkombëtare.

E pakënaqur me vendimin e gjykatës së shkallës së parë ka mbetur Prokuroria Themelore në Prizren, e cila me ankesë i është drejtuar gjykatës së shkallës së dytë.

Sipas prokurorisë, dispozitivi i aktgjykimit të shkallës së parë, për sa i përket pjesës liruese është kundërthënës dhe në kundërshtim me provat, pasi siç pretendon prokuroria, nga provat e administruara është vërtetuar pa mëdyshje se të akuzuarit kanë sulmuar objektin e konsullatës turke në Prizren.

Kurse dënimet e shqiptuara ndaj të akuzuarve  për veprën penale të shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm, prokuroria i ka quajtur si dënime shumë të buta.

Andaj, për këto arsye, prokuroria i ka propozuar Apelit që sa i përket pjesës ku të akuzuarit janë liruar nga akuzat për rrezikim të personave nën mbrojtje ndërkombëtare, çështjen ta kthej në rigjykim apo që të akuzuarit t’i shpallë fajtor edhe për këtë vepër.

Ndërsa, sa i përket pjesës dënuese, prokuroria i ka propozuar Apelit që ndaj të akuzuarve të shqipton dënim më të larta.

Edhe përkundër faktit se nuk kishin parashtruar ankesë ndaj aktgjykimit të shkallës së parë, prezent në seancën e Apelit ishin edhe avokatët Esat Gutaj e Hajrip Krasniqi, mbrojtës të Edon Saramatit përkatësisht të Bjeshkan Badallaj.

Në fjalën e tyre para kolegjit të Apelit, të dy avokatët propozuan që ankesa e prokurorisë të refuzohet si e pabazuar.

Aktakuza përshkruan se si i akuzuari Edon Saramati ka qëndruar afër automjetit të parkuar në afërsi të konsullatës, Bledjani dhe Egzoni kanë vëzhguar terrenin përreth  konsullatës, ndërsa Ilirjan Saramati dhe Bjeshkan Badallaj, kanë hedhur nga një koktej molotovi ne drejtim të konsullatës.

Organi i akuzës pretendonte se të akuzuarit me këto veprime kanë rrezikuar seriozisht lirinë e konsullit dhe personave tjerë në atë konsullatë./betimiperdrejtesi/

Asnjë koment

Comments are closed.