20-04-2024

Prokurori Hamitaga thotë se aktakuza për korrupsion e pengoi të kalonte në zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit

Prokuroria ka kërkuar dënimin e prokurorit të suspenduar Bajram Hamitaga, i cili akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, derisa Hamitaga dhe mbrojtja e tij, kanë kërkuar lirim nga kjo akuzë.

Të martën në Gjykatën Themelore në Gjilan, palët kanë dhënë fjalët e tyre përfundimtare, në këtë rast, ku përveç Hamitagës, për veprën penale “frikësimi gjatë procedurës penale”, akuzohet edhe shoferi i tij, Luan Delili.

Hamitaga, tani i suspenduar, në fjalën e tij përfundimtare, e cilësoi si hakmarrje ndaj tij aktakuzën e prokurorisë, të përfaqësuar nga prokurori Arben Ismaili.

Siç tha Hamitaga, ai e ka kryer me nder dhe dinjitet punën e prokurorit për 12 vjet sa e ka ushtruar këtë përvojë dhe për këtë ka pasur të kalojë në zyrën e Kryeprokurorit, por aktakuza e ngritur më 26 shtator 2016, që atë e ngarkon për “keqpërdorim të pozitës zyrtare”, sipas tij, e ka penguar këtë proces.

“Kam pasur që të kaloi në zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, por për hakmarrje më është ngritur kjo aktakuzë”, tha Hamitaga. Në fund të fjalës së tij Hamitaga, deklaroi se me asnjë provë nuk është arritur të vërtetohet se ai ka keqpërdorur detyrën e prokurorit të shtetit.

Ndërsa, dëshmitë e dëshmitarëve Sahit, Sadri dhe Ramadan Paqarizi, të gjithë familjarë te të dëmtuarit Granit Paqarizi, i cilësoi si të padrejta, por se të njëjtat sipas tij, janë bërë nga hakmarrja për shkak të aktakuzës me të cilin Hamitaga për tentim vrasje e kishte ngarkuar Granit Paqarizin.

Një vendim me të cilin Hamitaga, në mungesë të provave, do të shpallej i pafajshëm e kërkoi edhe mbrojtësi i tij, avokati Elmi Qerimi.

Ndryshe, nga Hamitaga dhe mbrojtësi i tij, është duke pretenduar prokurori Arben Ismaili, sipas së cilit, gjatë shqyrtimit gjyqësor është arritur të vërtetohet se Hamitaga duke shfrytëzuar detyrën e tij zyrtare ka pasur përfitim personal.

Në fjalën e tij përfundimtare, prokurori Ismaili, e mbrojti aktakuzën e cila pretendon se Hamitaga deri sa ka qenë duke e hetuar dhe zhvilluar procedurën penale, ku si i pandehur ka qenë tani i dëmtuari Granit Paçarizi si dhe disa të pandehur të tjerë, është takuar disa herë me familjarët e Paçarizit dhe se pa pagesë ka rregulluar dy herë kosën për prerjen e barit si dhe nga ata ka marrë një çadër.

“Mbes në tërësi pranë aktit akuzues pasi gjatë shqyrtimit gjyqësor në mënyrë të drejtë dhe të plotë është vërtetuar se të akuzuarit i kanë kryer veprat penale për të cilat janë akuzuar, gjatë kohës sa ka qenë në masën e paraburgimit, prokurori [Hamitaga] ka qenë në takime me familjarët dhe iu ka kërku 5.000 euro në emër gjoja të shërimit të djalit, është vërtetu se e ka rregulu kosën dhe e ka marrë një çadër gjatë kohës sa ka qenë duke u marr me lëndën penale të Granitit  gjykata pas administrimit të provave të merr një aktgjykim dënues dhe të jep një dënim meritor”, përfundoi Ismaili.

Ismaili, kërkoi një aktgjykim dënues edhe për të akuzuarin tjetër Luan Delili, shofer personal i prokurorit Hamitaga, që akuzohet për “frikësim gjatë procedurës penale”, me pretendimin se me provat e shqyrtuara është e mjaftueshme që të jepet një vendim i tillë.

Në anën tjetër, mbrojtësi i Delilit, avokati Fitim Shkodra, tha se nga provat e administrua nuk është arritur të vërtetohet se Delili e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet dhe në këtë formë kërkoi nga trupi gjykues që për të, të sjellë një aktgjykim lirues, pretendim të cilin e mbështeti edhe i akuzuari Delili.

Në fjalën e tij përfundimtare, i dëmtuari i këtij rasti Granit Paqarizi, kërkoi nga gjykata që të merr një vendim të drejtë dhe meritor, ndërsa shtoi se nëse të njëjtit shpallën fajtorë, në kontest civil do të fillojnë procedurat për kërkesën pasurore-juridike

Shpallja e aktgjykimit, është caktuar që të komunikohet më 11 qershor 2018./betimiperdrejtesi/

 

Asnjë koment

Comments are closed.