22-11-2024

Gjykata shpall aktgjykim lirues ndaj Kujtim Gashit

Gjykata Themelore në Prizren, të mërkurën, ka shpallur aktgjykim lirues ndaj deputetit të Kuvendit të Kosovës, njëherit ish-ministrit të Kulturës, Kujtim Gashi, i cili akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare gjatë kohës sa ishte kryesues i Asamblesë Komunale në Prizren.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga kryetarja e trupit gjykues, Raima Elezi, nuk është provuar se Gashi ka kryer veprën penale me të cilën ngarkohet, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjatë arsyetimit, gjykatësja Elezi deklaroi se ka munguar dashja në veprimet e të akuzuarit.

Kurse, Komuna e Prizrenit, si palë e dëmtuar, udhëzohet në kontest civil.

Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore Prizren, të ngritur më 17 dhjetor 2019, Kujtim Gashi akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Sipas aktakuzës, Kujtim Gashi, gjatë 2015-tës e deri në tetor 2016, në cilësinë e kryesuesit të Asamblesë Komunale në Prizren, nuk i ka përmbushur detyrat apo autoritetin zyrtar, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për personat tjerë juridik, “TV Besa” dhe “TV Opinion”.

132763921_144507900786662_8992439377674215936_n

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Gashi, duke mos e përmbushur detyrën e përcaktuar me ligj, pa ndonjë procedurë të tenderimit, në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik, Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike, si dhe Rregulloren e Thesarit, kishte lidhur kontratë për ritransmetimin e seancave të Asamblesë Komunale në Prizren.

Sipas aktakuzës, Gashi, gjatë periudhës kohore 8 janar 2015, kishte lidhur kontratë me “TV Besa”, në vlerë prej 250 euro për çdo seancë, ndërsa pagesat për këto shërbime janë autorizuar gjatë vitit 2016 në shumën prej 1,750 euro.

Në aktakuzë thuhet se ai po ashtu, gjatë periudhës kohore 8 janar 2015, kishte lidhur kontratë me “TV Opinion”, në vlerë prej 400 euro, për ritransmetimin e seancave të Asamblesë Komunale në Prizren, ku pagesat, sipas aktakuzës, janë transferuar gjatë viteve 2015-2016, në shumën prej 6700 euro.

Sipas aktit akuzues, vlera e përgjithshme që Gashi ka autorizuar për këto dy televizione është 8450 euro.

Ndryshe, Kujtim Gashi ka qenë ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit në qeverinë Haradinaj.

Kurse, në zgjedhjet e fundit parlamentare të mbajtura me 6 tetor 2019, Gashi është zgjedhur deputet në Kuvendin e Kosovës, nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK). /BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.