16-10-2019

Gjykata Speciale fton edhe një ish-ushtar të UÇK-së nga Rahoveci

E fundit që raportohet të ketë arritur është ajo ndaj Besim Bajramit, ish-ushtar i UÇK-së, që vjen nga fshati Drenoc i Komunës së Rahovecit, raporton Koha.net.

Lajmin e ka konfirmuar Dega e OVL e UÇK-së në këtë Komunë.

“Vazhdojnë ftesat nga Gjykata Speciale e Hagës. I ftuari i radhës është ish ushtari i UÇK-së Besim Bajrami nga fshati Drenoc i Rahovecit”, ka thënë OVL e UÇK-së në Rahovec.

Nuk është specifikuar cilësia e ftesës, nëse është ftuar si dëshmitar apo i dyshuar.

Së fundmi, e intervistuar nga Specialja në cilësinë e dëshmitares ka qenë ish-deputetja e PDK-së, Safete Hadërgjonaj, e cila, në mungesë të vizës, ishte marrë në pyetje në selinë e EULEX-it në Prishtinë më 19 shtator.

Veç Hadërgjonajt, së fundmi ftesë në cilësinë e dëshmitares kishte marrë edhe ish-deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, e cila në kohën e luftës ka shërbyer si mjeke e UÇK-së në Zonën Operative të Dukagjinit.

Po ashtu, edhe ish-zëvendëskomandanti i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Sokol Bashota, muajin e kaluar është intervistuar në Hagë në cilësinë e të dyshuarit, i cili me t’u kthyer në Prishtinë, tha se prokurorët e Speciales i kanë ofruar një marrëveshje, por të cilën ka thënë se e ka refuzuar.

Po gjatë muajit shtator, në Slloveni është intervistuar nga Specialja edhe Naim Maloku, ish-epror i UÇK-së.

Kurse më herët, ftesa kanë marrë edhe dhjetëra pjesëtarë të UÇK-së, e në mesin e tyre edhe kryeministri në largim i Kosovës, Ramush Haradinaj., si dhe shumë figura tjera të larta në hierarkinë e UÇK-së.

Asnjë koment

Comments are closed.