15-05-2024

Gjykimi ndaj ish-shefit të Shërbimeve Publike në Malishevë, çfarë tha dëshmitari?

Në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dje ka dhënë dëshminë e tij dëshmitari, Agnez Furra, në gjykimin ndaj ish-shefit të Shërbimeve Publike në Komunën e Malishevës, Ismet Mazreku, i cili po akuzohet për keqpërdorim detyre.

Dëshmitari Furra, i cili në atë kohë ka qenë drejtor i divizionit të KEDS-it në Gjakovë, tha se investimi i bërë në fshatin Gajrak të Malishevës ka qenë i KEDS-it, e jo i Komunës së Malishevës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ai tha se ka njohuri se është vendosur një kabllo elektrike në fshatin Gajrak të Malishevës, të cilin sipas tij, e ka realizuar ekipi i mirëmbajtjes së KEDS-it, divizioni në Gjakovë.

I pyetur nga prokurori Ali Uka se ky projekt a ka qenë investim i KEDS-it apo dikujt tjetër, dëshmitari Furra tha se ky projekt ka qenë investim i KEDS-it.

Ai shtoi se nuk ka njohuri se banorët e fshatit i ishin drejtuar Komunës së Malishevës për sigurimin e një kablloje të tillë.

Dëshmitari tha se nuk ka njohuri se Komuna e Malishevës përmes procedurës së prokurimit ta ketë blerë një kabllo të tillë.

Dëshmitari Furra tha se fakti se ky projekt ka qenë investim i KEDS-it mund të vërtetohet edhe përmes dokumentacionit, nga hyrje daljet e kabllos nga depoja qendrore në Prishtinë, pranimit të saj në depon në Gjakovë dhe dorëzimi i saj te ekipi i mirëmbajtjes së KEDS-it.

Në seancën e së hënës ishte e paraparë që të dëgjohej edhe dëshmitari Muhamrrem Hoti, mirëpo ai ka munguar.

Prokurori Uka, propozoi që në cilësi të dëshmitarëve të ftohen edhe Hasan Alijaj, i cili i ka udhëhequr punimet në atë projekt dhe dëshmitari Agron Lushi, i cili ka qenë depoist në depon e KEDS-it në Gjakovë.

Më pas, trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësi Nikollë Komani i ka aprovuar propozimet e prokurorit Uka dhe seancën e radhës e ka caktuar që të mbahet më 23 shtator 2019, në ora 10:00.

Sipas aktakuzës së ngritur më 13 mars 2019, nga Prokuroria Themelore në Gjakovë, Ismet Mazreku, akuzohet se në cilësinë e personit zyrtar, shef i Shërbimeve Publike në Komunën e Malishevës, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i tejkalon kompetencat e tij me qëllim të përfitimit të kundërligjshme të dobisë pasurore për vete apo tjetrin.

Në aktakuzë thuhet se në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik, me rastin e inicimit të “kërkesës për furnizim me kabllo elektrike” për nevojat e fshatit Gajrak të Komunës së Malishevës, dhe menaxhimit të kontratës së prokurimit, në vlerë prej 8.728.90 euro, nga kompania N.T.SH “Leoni”, me seli në Malishevë, të cilën edhe pse e ka pranuar, duke konfirmuar në bazë të raportit të 27 tetorit 2015, nuk vërtetohet se e njëjta është investuar në fshatin Gajrak te Komunës së Malishevës.

Më këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare” nga neni 422 par.2 pika 2.1 lidhur me par.1 të KPRK-së. /Betimipërdrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.