05-10-2024

Gjykimi për vjedhje të rëndë, dëshmitarët thonë se nuk i njohin të akuzuarit

Dëshminë e tij, Zogaj e ka dhënë në seancën e së premtes, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë, në rastin ku tre të akuzuarit Xhaha, Mitrovica dhe Krasniqi, akuzohen se kanë vjedhur pajisje të kompanisë “Bechtel-Enka”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Dëshmitari Zogaj ka thënë se ka qenë në roje natën kritike, dhe se vetëm ka parë tre-katër persona me maska.

Ai ka deklaruar se për pjesën ku është bërë vjedhja nuk ka qenë përgjegjës, por pasi që kishte dëgjuar zhurma, kishte dalë për të parë çfarë po ndodhte, edhe se për atë pjesë ka qenë përgjegjës roja tjetër, Haradin Buqaj.

“E kam dëgjuar një krismë, dhe jam afruar për të parë se çka po ndodhë, i kam parë tre-katër veta, ata më kanë thënë mos u afro se të vrasim, të njëjtit kanë qenë me maska, dhe njëri prej tyre e ka raportitur armën, dhe më kanë shikuar se qysh po reagoj, dhe jam larguar diku 50 metra dhe kam thirr policinë, kurse Haradini ka ardhur në vend të ngjarjes vetëm pasi ka ardhur policia”, ka thënë dëshmitari Zogaj.

Në pyetjen e prokurorit, Armend Zenelaj se a i njeh të akuzuarit, dëshmitari Agron Zogaj është përgjigjur edhe një herë se “nuk i njoh të akuzuarit, të njëjtit i kam parë vetëm në gjykatë”.

Pas dëshmisë së dëshmitarit Agron Zogaj, dëshminë e tij e ka dhënë edhe dëshmitari i dytë, i propozuar nga Prokuroria Themelore në Gjakovë, Zymer Zogaj.

Edhe dëshmitari Zogaj, në dëshminë e tij, ka deklaruar se nuk i njeh të akuzuarit dhe se nuk i kujtohet se është intervistuar në prokurori lidhur për këtë rast, pasi që sipas tij, për këtë rast ka dëgjuar vetëm një vit më parë kur e kanë ftuar në gjykatë.

Pas dëshmisë së dëshmitarit, Zymer Zogaj, mbrojtësi i të akuzuarit Besnik Xhaha, avokati Shaban Berisha, dhe mbrojtësi i të akuzuarit Adnan Mitrovica, avokati Driton Shehu, kanë propozuar gjykatës që deklaratat e dëshmitarit Zymer Zogaj dhe të akuzuarit Besim Krasniqi, dhënë në prokurori të shpallën si prova të papranueshme për arsye se gjatë intervistimit nuk kanë pasur avokat mbrojtës.

Një propozim të tillë, e ka refuzuar gjykatësi Njazi Morina, me arsyetimin se deklaratat janë marrë në mënyrë ligjore.

Ndërsa, gjykatësi Morina ka aprovuar propozimin e prokurorit Armend Zenelaj, që për seancën e radhës si dëshmitar të dëgjohet edhe Haradin Buqaj, pasi që sipas dëshmitarit Agron Zogaj, ai ishte përgjegjës për pjesën ku ka ndodhur vjedhja në natën kritike.

Me vendim të gjyqtarit Morina, seanca e shqyrtimit gjyqësor është ndërprerë dhe e njëjta është shtyrë për 23 shtator 2019, në ora 10:00, ku me ftesë të rregullt do të ftohet dëshmitari Haradin Buqaj.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, të ngritur më 19 dhjetor 2014, të akuzuarit Besnik Haxha, Adnan Mitrovica dhe Besim Krasniqi, po akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “vjedhje e rëndë”, nga neni 253, paragraf 1, pika 1, lidhur me nenin 23, të KPPK-së.

Në aktin akuzues thuhet se të akuzuarit më 19 shtator 2012, rreth orës 03:30, në fshatin Lladroc, Komuna e Malishevës, me qëllim të përfitimit pasuror të kundërligjshëm, kanë shkuar në vend-punishten e të dëmtuarës, kompanisë “Bechtel-Enka”, duke hapur me forcë kontejnerin afër trasesë së autostradës, dhe kanë vjedhur një “hillt”, dhe 10 teh sharre “diamant”, të vlerës 3.850 euro, dhe largohen në drejtim të panjohur. /Betimipërdrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.