23-11-2024

Greva në arsim, Haradinaj po bisedon me SBASHK-un

Një takim mes kryeministrit të vendit, Ramush Haradinaj, dhe përfaqësuesve të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), ka nisur pak minuta më parë, në zyrën e shefit të ekzekutivit, shkruan Express.

Temë e vetme e takimit është greva në arsim, e nisur javën e kaluar. Mësimdhënësit janë të vendosur të mbajnë grevë derisa në Projektligjin për paga koeficientet e punëtorëve të arsimit nuk ngrihen për 30 për qind.

Lajmin për takimin mes Haradinajt dhe SBASHK’ut e ka bërë të ditur zyra e kryeministrit, nëpërmjet një komunikate për media.

“Kryeministri Ramush Haradinaj pret në takim Sindikatën e Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës. Pas takimit do të ketë prononcim për media. VENDI: Ndërtesa e Qeverisë. KOHA: 19:00”, thuhet në njoftim.

Takimi Haradinaj-SBASHK vjen pasi raportet e Qeverisë së Kosovës dhe SBASHK’ut janë ashpërsuar edhe më shumë pas paralajmërimeve se greva do të vazhdojë edhe javën e ardhshme.

Ramush Haradinaj gjatë ditës u ka dërguar porosi mësimdhënësve se me presion s’do të mund të zgjidhin problemin e pagave.

Por, SBASHK’u ka deklaruar se greva e nisur më 14 janar pritet të vazhdojë edhe javën e ardhshme.

SBASHK’u ka njoftuar se i tërë arsimi fillor, i mesëm dhe universitar do të vazhdojë grevën deri në realizmin e kërkesave për rritje për 30 për qind koeficientin për mësuesit dhe profesorët.

Ndërkaq, Ministria e Arsimit ka njoftuar se nuk ka mjete për t’iu rritur pagat sistemit arsimor.

Sidoqoftë, në Qeveri thonë se janë duke punuar në Ligjin për Pagat dhe për t’i përfshirë kërkesat e mësimdhënësve aty.

Numri i punonjës në arsim, përfshirë këtu mësimdhënësit dhe punonjësit për të cilët kërkohet rritja e koeficienti të pagës në 30 për qind është rreth 27 mijë.

Paga mesatare e mësimdhënësve të arsimit fillor dhe të mesëm është nga 420 deri në 440 euro. Derisa, paga e mësimdhënësve në universitete është mbi 1000 euro.

Gjithë pakënaqësia e mësimdhënësve erdhi pas rritjes së pagave në gjithë sektorët publik derisa mbeten me paga të njëjta vetëm mësuesit dhe profesorët. /Express/

 

Asnjë koment

Comments are closed.