Fermeri nga Korisha e Prizrenit padit Ministrinë për mospagesën e grantit (VIDEO)

Fermeri Liridon Ahmetaj nga Korisha e Prizrenit ka një hall me Ministrinë e Bujqësisë të cilin po pret ta zgjidhë me gjyq.

Ahmetaj në vitin 2017 ka qenë përfitues i grantit nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë.

Ai thotë se si fermer ka kryer të gjitha pikat e nevojshme të obligimeve si përfitues i grantit, në të cilat duhet të mbështetet lëshimi i mjeteve financiare nga Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë.

Sipas tij, objekti për mbarshtimin e dhive është ndërtuar i tëri, i bazuar në udhëzimin administrativ nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

Ai ka qenë përfitues i një grantiprej 77 mijë eurosh. 70 për qind të shumës së grantit, apo 53,900 euro, do të duhej të paguhej nga Ministria, ndërsa pjesa tjetër e investimit i ka takuar fermerit.

“Në dhjetor të 2017-tës ka ardhur komisioni i parë vlerësues dhe ka thënë që plotësohen standardet. Pas komisionit të parë për çudi më kanë ardhur edhe një komision tjetër vlerësues për rikontrollim edhe ata e kanë vlerësuar tërë punën dhe kanë thënë që plotësohen standardet, mirëpo kam pritur të më kryhen pagesat, nuk është kryer e çuditërisht më ka ardhur vendimi i parë me refuzim për arsye se nuk plotësohen standardet”, thotë Ahmetaj.

Ai ka bërë ankesë për të kundërshtuar refuzimin nga ana e AZHB-së. Kjo kërkesë e tij është refuzuar me arsyetimin se ky objekt nuk i plotëson standardet sado që ai thotë se të gjitha investimet janë kryer sipas udhëzimeve administrative nga ana e Ministrisë.

“Të gjitha këto investime që unë i kam bërë janë investime të pranueshme në shtojcën numër dy të udhëzimit administrativ”, shton Ahmetaj.

Ai thotë se ankesa e tij drejtuar ministrit ka marrë përgjigje pozitive për lirimin e mjeteve.

KALLXO.com ka kërkuar sqarim për pohimet e Ahmetajt, por deri në publikim të këtij artikulli ministria nuk ka kthyer përgjigje.

Ushtruesi i Detyrës së Kryeshefit të AZhB-së, Ekrem Gjokaj, e cila funksionon në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, në një përgjigje për KALLXO.com ka thënë se fermerit Ahmetaj i kanë kaluar të gjitha format administrative në Agjencionin për Zhvillimin e Bujqësisë.

Dhitë e fermerit Liridon Ahmetaj – Foto: 

“E vetmja mundësi që fermeri mund të ndjek tash është procedura gjyqësore, se janë shterruar të gjitha format administrative në Agjencion. Ky rast është i vitit 2016 dhe janë shterrë të gjitha afatet, i kam parë shqetësimet e fermerit që i ka pasur dy vizita dhe një superkontrollë dhe ne urojmë që ai ta fitojë rastin”, ka thënë Gjokaj./KALLXO.com